Autoritetet amerikane kanë zbuluar se anija “OceanGate Titan” ishte dëmtuar gjatë zhytjeve të mëparshme dhe ishte ndërtuar përmes një procesi inxhinierik të dobët që nuk përmbushte standardet e sigurisë. Kjo solli që anija në qershor 2023 të zhdukej në Atlantikun e Veriut dhe mori jetën e të pesë personave në bord, përfshirë drejtorin ekzekutiv të OceanGate, Stockton Rush.

Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit i SHBA-së, NTSB zbuloi se dizajni mekanik i anijes ishte “i mangët”, gjë që çoi në pamundësinë e saj për të përmbushur kërkesat e qëndrueshmërisë.

Raporti thotë se kompania nuk kishte kryer kontrollet e nevojshme të testimit, si rezultat i të cilave nuk ishte në dijeni të kufijve të vërtetë të qëndrueshmërisë së nëndetëses. Nëndetësja u zhduk në Atlantikun e Veriut ndërsa përpiqej t’i afrohej rrënojave të Titanikut.

Në gusht, Roja Bregdetare e SHBA-së kishte publikuar hetimin e saj, duke e përshkruar aksidentin si plotësisht të parandalueshëm dhe duke kritikuar ashpër praktikat e sigurisë të OceanGate.

Vetë Stockton Rush e pilotoi anijen Titan në zhytjen e saj të fundit. Së bashku me të ishin eksploruesi francez i detit të thellë Paul-Henri Narzolet, biznesmeni Sazanda Daoud, djali i tij 19-vjeçar Suleman Daoud dhe miliarderi britanik Hamish Harding, të gjithë të cilët kishin paguar deri në 250,000 dollarë për t’u bashkuar me ekspeditën.