Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Itali, ku një grua është rrëmbyer, droguar dhe dhunuar nga një bandë mafioze shqiptare.

Mediat raportojnë se gruaja me origjinë nga Hungaria u rrëmbye në qytetin e Milanos, me qëllim shfrytëzimin e saj për prostitucion.

Sipas portalit hungarez të lajmeve Borsonline, gruaja e cila ishte dhe nënë e 4 fëmijëve, ka arritur të shpëtojë falë një postimi që ka bërë në rrjetin social Facebook. Mësohet se gruaja postoi një mesazh në një faqe të hapur për hungarezët që jetojnë në Milano, duke shkruar se është rrëmbyer, droguar e dhunuar, dhe se ndodhet e mbyllur në një banesë.

Pas kësaj, një bashkëkombëse e saj ka arritur që të sinjalizojë policinë, duke bërë të mundur lokalizmin dhe shpëtimin e saj. Viktima ishte në rrezik dhe është kërcënuar vazhdimisht duke u qëlluar me armë zjarri.

“Ajo nuk do të kishte pasur mundësi të kthehej në shtëpi nëse unë nuk do t’i besoja të gjitha dhe do të reagoja shpejt”, shkruan gruaja që i shpëtoi jetën nënës hungareze.

Sakaq, autoritetet kanë shtuar vigjilencës pas ngjarjes, por nuk ka detaje për autorët.