Autoritetet në Turqia kanë arrestuar 162 persona, pasi dyshohet se kanë publikuar në rrjetet sociale përmbajtje që lavdëronin dy sulmet e përgjakshme në shkolla, të ndodhura gjatë kësaj jave, ku humbën jetën të paktën nëntë persona dhe u plagosën 29 të tjerë.

Sipas policisë, të arrestuarit kanë shpërndarë materiale që “lavdëronin krimin dhe autorët e tij”, duke ndikuar negativisht në rendin publik. Ndërkohë, edhe 67 persona të tjerë janë ndaluar për publikime që paralajmëronin sulme të tjera të mundshme në shkolla. Autoritetet kanë ndërhyrë gjithashtu duke vendosur kufizime mbi 1,104 llogari në rrjetet sociale.

Një nga ngjarjet ndodhi më 14 prill në Shkollën e Mesme Profesionale dhe Teknike Anadollie “Ahmet Koyuncu”, ku një ish-nxënës hapi zjarr me armë gjahu, duke plagosur 16 persona dhe më pas i dha fund jetës.

Ndërsa një ditë më vonë, më 15 prill, një tjetër sulm tronditi Shkollën e Mesme “Ayser Calik” në Kahramanmaraş. Si pasojë e të shtënave, tetë nxënës dhe një mësues humbën jetën, ndërsa 13 persona të tjerë mbetën të plagosur, mes tyre gjashtë në gjendje kritike.

Ngjarjet kanë shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe kanë shtyrë autoritetet të rrisin masat e sigurisë, si dhe të monitorojnë më nga afër aktivitetin në platformat online.