Presidenti rus Vladimir Putin u ka dhënë poste të rëndësishme në qeveri dhe në kompani shtetërore të paktën 20 të afërmve të tij, përfshirë ish-gruan dhe ish-të dashurat. Sipas një hetimi të publikuar nga disa media ruse, nepotizmi në rrethin e Putinit ka arritur nivele që tejkalojnë çdo gjë të parë që nga koha e carit Nikolla II.
Ndër figurat më me ndikim është Anna Tsivilyova, vajza e kushëririt të ndjerë të Putinit, Yevgeny Putin. Ajo u emërua zëvendësministre e mbrojtjes në vitin 2024, vetëm një muaj pasi bashkëshorti i saj, Sergei Tsivilyov, la detyrën e guvernatorit të rajonit të pasur me qymyr të Kemerovës për t’u bërë ministër i energjisë.
Sipas inteligjencës ushtarake ukrainase, Tsivilyova është vendosur në Ministrinë e Mbrojtjes për të monitoruar korrupsionin dhe besnikërinë e zyrtarëve, duke raportuar drejtpërdrejt te Putini.
Djali i saj, Dmitry Loginov, 27 vjeç, drejton kompani të lidhura me Kolmar, firmën e madhe të minierave të qymyrit që kontrollohet nga nëna e tij. Ndërkohë, vëllai i saj, Mikhail Putin, mban një post drejtues në Gazprom, gjigantin shtetëror të energjisë. Edhe i biri i Mikhailit, Denis Putin, 28 vjeç, është aksionar në kompleksin e biznesit Sheremetyevo, ku operojnë kompani shtetërore.
Raporti përmend gjithashtu Igor Putinin dhe Lyubov Kruglovën, kushërinjtë e presidentit, që kanë përfituar pozicione dhe kontrata fitimprurëse. Viktor Khmarin, djali i Kruglovës, është aktualisht drejtues i RusHydro, një nga kompanitë më të mëdha të energjisë elektrike në vend.
Dy vajzat e Putinit me ish-bashkëshorten Lyudmila, Maria Vorontsova (mjeke endokrinologe) dhe Katerina Tikhonova (menaxhere në sektorin e teknologjisë), janë gjithashtu pjesë e elitës shtetërore dhe morën pjesë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut në vitin 2024. Megjithatë, Putini nuk i ka pranuar kurrë publikisht si vajzat e tij, ndonëse kjo është diçka e njohur.
Raporti përfshin edhe lidhjet e presidentit me Alina Kabaeva-n, ish-gjimnaste olimpike, e cila besohet të ketë dy djem me Putinin. Hetimet e mediave zbuluan se Kabaeva merrte pagesa të fshehta nga një njësi ushtarake e lidhur me Kremlinin (nr. 16660), që datojnë në vitet 2000–2001, periudha kur Putini sapo kishte marrë postin e presidentit.
Kabaeva, sot 41 vjeçe, është ndër gratë më të pasura në Rusi, me një perandori pronash që vlerësohet mbi 80 milionë paund.
Pavarësisht kësaj, Putini nuk ka pranuar asnjëherë zyrtarisht marrëdhënien me të apo me Svetlana Krivonogikh, ish-punonjësen e një dyqani që më vonë u bë një nga partneret e tij dhe me të cilën dyshohet se ka një vajzë.
Raporti i “Proekt” përforcon perceptimin se pushteti në Rusi është i lidhur ngushtë me interesat familjare dhe personale të Putinit, ndërsa Kremlini nuk ka reaguar ndaj akuzave.



