Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi të shtunën se ka “raporte të besueshme” se Hamasi po planifikon një sulm të afërt ndaj civilëve palestinezë në Gaza, gjë që do të përbënte një shkelje të rëndë të marrëveshjes së armëpushimit, raporton BBC.
Në një deklaratë të lëshuar zyrtarisht, SHBA tha se një sulm i tillë do të ishte një “shkelje e drejtpërdrejtë dhe e rëndë e armëpushimit” dhe se do të “minonte përparimin e ndjeshëm të arritur përmes përpjekjeve ndërmjetësuese”.
Departamenti i Shtetit nuk dha detaje të mëtejshme mbi natyrën e raportuar të sulmit, as burimin e informacionit.
Aktualisht është në zhvillim faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit. Të gjithë pengjet e gjalla janë liruar, ndërsa trupat e pengjeve të vrarë po vazhdojnë të kthehen në Izrael. Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, Izraeli ka liruar 250 të burgosur palestinezë dhe 1,718 të ndaluar nga Gaza.
Sipas deklaratës së SHBA-së, Washingtoni ka informuar garantuesit e tjerë të marrëveshjes së paqes në Gaza, përfshirë Egjiptin, Katarin dhe Turqinë dhe ka kërkuar që Hamasi të respektojë angazhimet e veta.
“Nëse Hamasi e ndërmerr këtë sulm, do të merren masa për të mbrojtur popullin e Gazës dhe për të ruajtur integritetin e armëpushimit”, thuhej në deklaratë.
Hamasi nuk ka reaguar ende ndaj akuzave të SHBA-së.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump, në një postim në platformën Truth Social, paralajmëroi më herët këtë javë se “nëse Hamasi vazhdon të vrasë civilë në Gaza, Shtetet e Bashkuara do të ndërhyjnë”, por më pas sqaroi se nuk do të dërgonte trupa amerikane në Gaza.