Regjimi i Aleksandër Vuçiçit po shfaqet gjithnjë e më hapur si një sistem që po shemb institucionet dhe po shtyp çdo zë kritik, duke zgjeruar kontrollin dhe represionin në çdo nivel të jetës publike. Sipas medias opozitare “Nova.rs”, qeveria serbe po ndikon drejtpërdrejt në punën e gjykatave, kuvendeve lokale, arsimit, kulturës dhe shëndetësisë, duke shkelur vendimet gjyqësore dhe duke zëvendësuar vazhdimisht drejtuesit e institucioneve publike.

Profesori i së drejtës Bojan Pajtić paralajmëron se nëse regjimi i Vuçiçit mbetet në pushtet, Serbia rrezikon të humbasë themelet e saj shtetërore, pasi – sipas tij – “institucionet nuk ekzistojnë më, sundimi i ligjit është shuar dhe vendin e ka zënë krimi e paligjshmëria.”


Shkelja e “vijave të kuqe”

Shembulli më i fundit i degradimit institucional është, sipas raportimeve, bllokimi i kuvendeve lokale në disa qytete. Në Kraljevë, këshilltarët e opozitës nuk janë lejuar të hyjnë në sallë nga rojet private të sigurisë, ndërsa në Zajeçar, partia në pushtet SNS ka zhvilluar seancën konstituive të parlamentit lokal pavarësisht se gjykata e kishte shpallur atë jokushtetuese.

Sipas opozitës, qeveria po krijon një klimë frike dhe kontrolli total, ndërkohë që çdo sektor – nga arsimi deri te ushtria – është nën presion dhe ndërhyrje politike.


Largimi nga rruga evropiane

Në arenën ndërkombëtare, Serbia po shihet gjithnjë e më shumë si një vend që po largohet nga vlerat demokratike dhe rruga evropiane. Zyrtarë të BE-së kanë shprehur shqetësim për shtypjen e disidentëve dhe kufizimin e lirive themelore, ndërsa afërsia në rritje me Rusinë shihet si një ndryshim i qëllimshëm gjeopolitik nga Beogradi.

Në këtë klimë, thirrjet për zgjedhje të reja po shtohen, megjithëse qeveria i refuzon kategorikisht. Ndërkohë, studentët po përgatisin një listë të pavarur, ndërsa pjesa më e madhe e opozitës ende nuk ka një qëndrim të unifikuar. Vetëm Partia Demokratike e Srđan Milivojević ka deklaruar publikisht se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e mundshme, duke mbështetur studentët si simbol të rezistencës civile.


“Nëse mbijeton regjimi, nuk do të ketë më Serbi”

Profesori Pajtić shprehet prerë: “Nëse regjimi mbijeton, nuk do të ketë më Serbi. Do të mbetet vetëm një territor ku jetojnë të moshuar të hidhëruar, pa shtet, pa institucione, pa drejtësi.”
Sipas tij, në kushtet aktuale nuk ka më vend për dallime ideologjike, pasi janë shembur vetë bazat e sistemit demokratik. “Kur pushtetet janë të kapura, të drejtat e njeriut të nëpërkëmbura dhe plaçkitja e pasurisë publike është bërë rutinë, çështjet e majta apo të djathta nuk kanë më kuptim,” thekson ai.

Pajtić shton se Serbia ka përpara një proces të gjatë rindërtimi institucional dhe moral, që do të kërkojë vite punë për t’u rikthyer në rrugën e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Vetëm atëherë, sipas tij, do të mund të flitet sërish për debate ideologjike në një vend që funksionon si shtet.