Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka vendosur të shkojë deri në fund dhe të aneksojë plotësisht Rripin e Gazës, pavarësisht kundërshtimit nga Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) dhe një numër zyrtarësh me ndikim. Plani i tij është aq radikal saqë u kundërshtua hapur nga Shefi i Shtabit të IDF-së, Gjenerali Eyal Zamir, në një mbledhje të kabinetit, i cili pretendoi se vendimi i Netanyahut “përfaqëson një kurth për IDF-në”. Së shpejti, djali i kryeministrit, Yair Netanyahu, iu bashkua publikisht konfliktit të tyre, duke sulmuar Zamirin në Platformën X dhe duke sugjeruar se ai qëndronte pas një “rebelimi dhe tentative për grusht shteti ushtarak që do t’i kishte shkuar për shtat republikës së bananeve në Amerikën Qendrore në vitet ’70”.
Rastësisht, një javë më parë, rreth tridhjetë ish-komandantë të inteligjencës dhe ushtrisë izraelite propozuan publikisht përfundimin e ofensivës në Gaza në këmbim të kthimit të pengjeve të rrëmbyera, duke argumentuar se Hamasi ishte de facto plotësisht i mundur. Edhe pse Netanyahu e emëroi atë komandant të ushtrisë izraelite, Zamir është përplasur me qeverinë në disa raste, por këtë herë burime të paidentifikuara nga zyra e kryeministrit thanë se ai mund të japë dorëheqjen nëse kundërshton planin për të pushtuar Gazën.
Pengjet në rrezik
Mediat izraelite kanë mësuar se komandanti i IDF-së u përpoq të shpjegonte në takim se një pushtim i plotë i Rripit të Gazës do të rrezikonte 50 pengjet që mbahen ende nga Hamasi, të paktën 20 prej të cilëve janë gjallë, dhe se pushtimi do ta shteronte më tej ushtrinë. IDF aktualisht kontrollon rreth 75 përqind të Rripit të Gazës, dhe sipas planit të ri ushtria do të duhej të pushtonte territorin e mbetur, duke e vënë të gjithë enklavën nën kontrollin izraelit. Nuk është e qartë se çfarë do të thoshte një veprim i tillë për gati dy milionë civilë palestinezë në rrip dhe për grupet humanitare që veprojnë në enklavë. Grindja midis Netanyahut dhe Zamirit nuk e habiti askënd, pasi mosmarrëveshjet midis qeverisë së krahut të djathtë dhe udhëheqjes së IDF-së kanë vazhduar prej kohësh. Sipas burimeve të brendshme, Netanyahu vendosi ta pushtojë plotësisht Gazën me këmbënguljen e partnerëve të tij të koalicionit të ekstremit të djathtë, të cilët përfitojnë nga fakti se negociatat me Hamasin kanë ngecur në javët e fundit. Sipas televizionit publik Kan, Zamir kundërshtoi. “Do të krijoni një kurth në Gaza”, tha gjenerali, duke shtuar se pushtimi “do të rrezikojë ndjeshëm jetën e pengjeve dhe do të shkaktojë erozionin e ushtrisë”, pohon TV Kan. Zamiri rekomandoi që IDF-ja, në vend që ta pushtonte plotësisht Rripin e Gazës, të rrethonte gradualisht Qytetin e Gazës dhe disa zona të tjera të populluara, dhe më pas t’i përdorte këto pozicione për të nisur sulme ndaj mbetjeve të luftëtarëve të Hamasit.
Gaza në duart e arabëve
Por Netanyahu tha se Izraeli synon të marrë kontrollin ushtarak të Gazës dhe t’ia dorëzojë atë forcave arabe për ta qeverisur. Ai i bëri komentet gjatë një interviste me Fox News të SHBA-së, pak çaste përpara se të takohej me anëtarët e kabinetit të tij të sigurisë të enjten në mbrëmje, sipas orës lokale, për të diskutuar planet për një pushtim ushtarak të të gjithë enklavës. Kur u pyet nëse Izraeli donte të merrte kontrollin e të gjithë rripit prej 42 kilometrash, ai tha: “Ne kemi ndërmend ta bëjmë këtë.” Në intervistë, ai shtoi se Izraeli nuk kishte ndërmend të qeveriste Gazën dhe në vend të kësaj donte një “perimetër sigurie”. “Ne nuk duam ta mbajmë atë,” tha ai. “Ne duam të kemi një perimetër sigurie. Ne nuk duam ta qeverisim atë. Ne nuk duam të jemi atje si një organ qeverisës.” “Ne duam t’ia dorëzojmë atë forcave arabe që do ta qeverisin siç duhet pa na kërcënuar dhe pa u dhënë banorëve të Gazës një jetë të mirë. Kjo nuk është e mundur me Hamasin”, shtoi ai.
