Benjamin Netanyahu ka deklaruar se synon që brenda dekadës së ardhshme Izraeli të shkëputet gradualisht nga ndihma ushtarake financiare e Shteteve te Bashkuara, duke sinjalizuar një ndryshim të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy aleatëve historikë.
Në një intervistë për emisionin “60 Minutes” të rrjetit amerikan CBS News, Netanyahu tha se dëshiron t’i japë fund komponentit financiar të bashkëpunimit ushtarak me Uashingtonin.
“Synimi im është që mbështetja financiare amerikane për Izraelin të shkojë drejt zeros,” u shpreh ai, duke theksuar se koha ka ardhur për të rishikuar dimensionin ekonomik të marrëdhënies mes dy vendeve.
Kryeministri izraelit shtoi se nuk dëshiron të presë përbërjen e ardhshme të Kongresit amerikan për të nisur këtë proces, duke lënë të kuptohet se Tel Avivi duhet të mbështetet më shumë në kapacitetet e veta.
Aktualisht, Izraeli përfiton rreth 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake në vit nga SHBA-ja. Marrëveshja ekzistuese mes dy vendeve parashikon një paketë totale prej 38 miliardë dollarësh për periudhën 2018–2028.
Deklaratat e Netanyahut vijnë në një moment kur mbështetja publike për Izraelin në SHBA duket se po lëkundet, sidomos pas luftës në Gaza që nisi në tetor 2023.
Sipas një sondazhi të realizuar nga Pew Research Center në muajin mars, 60% e amerikanëve të rritur kanë një perceptim negativ për Izraelin, ndërsa 59% deklarojnë se kanë pak ose aspak besim te mënyra se si Netanyahu menaxhon çështjet ndërkombëtare. Të dy treguesit shënojnë rritje me shtatë pikë krahasuar me një vit më parë.
