Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ironizoi delegatët e Kombeve të Bashkuara që u larguan nga salla e Asamblesë së Përgjithshme gjatë fjalimit të tij, në shenjë proteste ndaj politikave të Izraelit. Ai i cilësoi ata si frikacakë.

Teksa dhjetëra përfaqësues po largoheshin nga salla mes brohoritjeve dhe fishkëllimave, Netanyahu iu drejtua atyre që kishin mbetur duke thënë se, nëse nuk ishin dakord me të, mund të largoheshin edhe ata. Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme, Khalilur Rahman, kërkoi vazhdimisht qetësi dhe rend në sallë.

Në vijim të fjalimit, Netanyahu u përqendrua te programi bërthamor i Iranit dhe veprimet ushtarake të Izraelit. Ai deklaroi se shkatërrimi i objekteve bërthamore iraniane ishte një nga vendimet më të rëndësishme që kishte marrë si kryeministër, duke argumentuar se veprimi ishte i nevojshëm për sigurinë e Izraelit.

Netanyahu pretendoi gjithashtu se, pavarësisht kritikave publike ndaj Izraelit, disa liderë botërorë e falënderojnë privatisht për veprimet kundër kapaciteteve bërthamore të Iranit. Ai e cilësoi këtë situatë si hipokrizi, ndërsa mbrojti qëndrimin e Izraelit se veprimet e tij ushtarake synojnë të parandalojnë kërcënimet ndaj vendit dhe më gjerë.

“Shkatërrimi i objekteve bërthamore të Iranit ishte i vështirë. Ishte shumë e vështirë për t’u bërë. Por për mua, ishte një nga vendimet më të lehta që kam marrë ndonjëherë si kryeministër. Sepse nëse nuk do ta kishim bërë, të gjithë do të ishim të vdekur. Tani, do të dëgjosh ironinë më të madhe? Duke u mbrojtur, Izraeli po mbron edhe shumë nga vendet delegatët e të cilave sapo kanë lënë këtë sallë. Në fakt, dua të dini se shumë nga udhëheqësit e tyre, madje na falënderojnë privatisht për shkatërrimin e armëve bërthamore të Iranit. Është e vështirë të imagjinosh më shumë hipokrizi tronditëse, por pikërisht kjo është.” tha ai.