Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli kontrollon aktualisht 60% të territorit të Rripit të Gazës. Kjo është hera e parë që Izraeli konfirmon zyrtarisht zgjerimin e zonës nën kontrollin e tij në enklavën palestineze, pas dy vitesh lufte.
“Gjatë dy viteve të fundit i treguam gjithë botës forcën e popullit tonë, të shtetit tonë, të ushtrisë sonë dhe të trashëgimisë sonë”, tha Netanyahu gjatë deklaratave për “Ditën e Jerusalemit”.
Ai shtoi se Izraeli ka arritur të kthejë të gjithë pengjet dhe se nuk ka hequr dorë nga asnjë territor.
“Disa na thanë të tërhiqeshim, por ne nuk u larguam. Sot kontrollojmë 60% të territorit. Nesër do të shohim”, u shpreh ai.
Deklaratat vijnë në një kohë kur përplasjet në Gaza vazhdojnë, ndërsa Izraeli dhe Hamas akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit. Armëpushimi hyri në fuqi më 10 tetor, dy vite pas nisjes së luftës që shpërtheu pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.
Faza e parë e marrëveshjes përfshiu lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli. Megjithatë, bisedimet për fazën e dytë të marrëveshjes, që parashikon çarmatimin e Hamasit dhe tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite, kanë mbetur të bllokuara prej javësh.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, mbi 850 palestinezë janë vrarë që nga hyrja në fuqi e armëpushimit. Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi se pesë ushtarë izraelitë kanë humbur jetën në Gaza gjatë së njëjtës periudhë.
