Ish-kryeministri i Izraelit, Ehud Barak, ka kritikuar ashpër kryeministrin Benjamin Netanyahu për përshkallëzimin e tensioneve me Turqinë, duke e cilësuar politikën e tij ndaj Ankarasë si të pamatur dhe të panevojshme.
Barak deklaroi se tensionet e krijuara me Turqinë janë një veprim “budallallëk” dhe paralajmëroi se pas tyre mund të fshihet një interes politik i Netanyahut për të shkuar drejt zgjedhjeve duke mbajtur të lartë nivelin e ankthit dhe pasigurisë në shoqërinë izraelite.
Sipas ish-kryeministrit, Turqia nuk mund të krahasohet me Iranin apo Sirinë e regjimit të Bashar al-Assadit dhe problemet mes Izraelit dhe Ankarasë mund të menaxhohen përmes diplomacisë.
“Nuk ka asnjë problem strategjik me Turqinë që nuk mund të zgjidhet, zbutet ose shtyhet në planin afatgjatë përmes kontakteve diskrete të koordinuara me SHBA-në”, deklaroi Barak.
Ai e akuzoi Netanyahun se nuk është i fokusuar te siguria e Izraelit, por te mbijetesa e tij politike, duke e krahasuar me një “kumarxhi të fiksuar pas fatit”.
Barak paralajmëroi gjithashtu se qasja e Netanyahut po shqetëson aleatët e Izraelit dhe mund të shkaktojë dëme afatgjata në marrëdhëniet diplomatike dhe sigurinë e vendit.
“Netanyahu ka dalë plotësisht nga binarët”, përfundoi ish-kryeministri izraelit.
