Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë dhe është pritur nga Presidenti Donald Trump. Kjo shënon vizitën e katërt të Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë që nga fillimi i mandatit të dytë të Trump.
Të dy udhëheqësit pritet të diskutojnë armëpushimin në Gaza dhe marrëveshjen për pengjet.
Trump, duke përshëndetur kryeministrin Netanyahu, tha se është “shumë i bindur” se paqja mund të arrihet shpejt në Gaza. Presidenti amerikan e tha këtë teksa shtrëngonte dorën e Netanyahut në portikun e Krahut Perëndimor. Të dy udhëheqësit do të takohen privatisht në Zyrën Ovale, përpara se të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Ndërsa Trump shprehu besim në arritjen e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund luftës në Gaza dhe do të siguronte lirimin e pengjeve të mbetura, Netanyahu qëndroi pranë duke buzëqeshur. Ai nuk u përgjigj kur u pyet nëse ishte dakord.