Qeveria greke ka njoftuar rritjen e pagës minimale bruto nga 1 Prilli, e cila do të arrijë në 920 euro, sipas njoftimit të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave. Bëhet fjalë për rritjen e gjashtë radhazi që nga viti 2019, ndërsa vetëm gjatë vitit të kaluar paga minimale u rrit me 40 euro në muaj, ose rreth 4,5%. Qeveria thekson se ky vendim synon të mbështesë të ardhurat e qytetarëve përballë kostos së lartë të jetesës.
Rritja e pagës minimale prek gjithashtu një varg pagesash dhe përfitimesh të lidhura me të, duke përfshirë shtesat për vjetërsinë në punë dhe periudhat trevjeçare. Përfitimet sociale përfshijnë shtesën për personat e martuar, që rritet në 10% të pagës minimale, si dhe asistencën sociale për të papunët, e cila ngjitet në 564 euro nga 540 euro më parë. Ndikim ka edhe te leja e lindjes, leja prindërore, programet e punësimit dhe ndihmat sezonale për punonjësit e sektorit privat.
Përveç sektorit privat, qeveria ka parashikuar edhe një rritje horizontale prej 40 eurosh për të gjithë nëpunësit e sektorit publik. Sipas të dhënave zyrtare, që nga viti 2019 paga minimale është rritur nga 650 euro në 920 euro, një rritje kumulative mbi 40%. Partitë opozitare dhe sindikatat e konsiderojnë këtë rritje të pamjaftueshme përballë inflacionit dhe shtrenjtimit të kostos së jetesës, ndërsa hollësi të tjera për kategori të ndryshme punonjësish do të jepen në konferencën për shtyp pas orës 15:30, ora lokale.
