Piloti personal i Pablo Escobarit, Tirso ‘TJ’ Dominguez i njohur ndryshe si “Tito” ka treguar për herë të parë historinë e jetës së tij në një podcast të ri dhe në dokumentarin tetë-orësh të titulluar Cocaine Air. Ai rrëfen rrugëtimin e tij nga një pilot i zakonshëm në një prej figurave kyçe të operacioneve të kartelit më famëkeq të drogës në histori.
Sipas tij, fillimisht kishte refuzuar ofertën për të punuar me Escobarin, pasi ishte tashmë i angazhuar me një kartel konkurrent dhe fitonte 4 milionë dollarë në muaj. “Po fitoja shumë dhe isha i kënaqur. S’më duhej më shumë,” rrëfen Dominguez.
Por kur Escobari i ofroi pesëfishin e kësaj shume 20 milionë dollarë në muaj vendosi të ndryshojë mendje. Në vlerën e sotme, kjo pagë do të barazohej me rreth 60 milionë dollarë në muaj.
Në rrëfimin e tij, Dominguez përshkruan një jetë të tejmbushur me luks, fuqi dhe pa asnjë kufi moral. “Kisha 30 Lamborghini dhe më sillnin makina që përputheshin me ngjyrën e këmishës që kisha veshur atë ditë,” thotë ai. Përveçse ishte pilot, ai u përfshi edhe në trafik, shitje dhe pastrim parash për kartelin e Medellinit.
Rrugëtimi i tij në botën e krimit nisi në fund të viteve 1970, pasi humbi babain dhe filloi të pilotonte avionë që transportonin marihuanë dhe më pas kokainë nga Kolumbia drejt SHBA-së.
Në vitin 1988, pas një bastisjeje të agjentëve federalë në vilën e tij luksoze në Florida, ai u arrestua dhe më vonë u dënua me 13 vite burg për trafik droge dhe pastrim parash. Edhe nga brenda qelisë, ai nuk hoqi dorë nga jeta e mëparshme: arriti të blejë një helikopter dhe tentoi arratisjen, por u kap sërish.
Sot, në moshën 73-vjeçare, ai thotë se e ka lënë pas atë jetë dhe synon të jetë një biznesmen i ndershëm. “Dështimi është kur dorëzohesh. Nëse rrëzohesh, rrëzoju përpara. Kjo do të thotë që ke fituar dy hapa,” thotë Dominguez.
Rrëfimi i tij ofron një pasqyrë të rrallë në botën e errët të karteleve të drogës dhe dëshmon për tundimin e madh që ofron pasuria dhe fuqia – edhe kur çmimi është liria dhe jeta vetë.
