Një sulm ajror i kryer nga Arabia Saudite ndaj një objektivi që Riadi e cilësoi si një dërgesë armësh e lidhur me Emiratet e Bashkuara Arabe në Jemen, shënoi këtë të martë përshkallëzimin më të rrezikshëm deri më sot në marrëdhëniet mes dy fuqive kryesore të Gjirit.

Ngjarja nxori hapur në pah një realitet që prej vitesh po merr formë në heshtje: erozionin e aleancës strategjike mes Riadit dhe Abu Dhabit, dikur të konsideruara si boshti i stabilitetit arab në Lindjen e Mesme.

Nga partneritet i ngushtë ushtarak dhe politik, marrëdhënia mes dy vendeve është shndërruar gradualisht në një rivalitet të shumëfishtë, që përfshin energjinë, tregtinë, ndikimin diplomatik dhe projektimin e fuqisë në konfliktet rajonale.

Nga aleancë ideologjike në ndarje strategjike

Në vitin 2011, me shpërthimin e Pranverës Arabe, Arabia Saudite dhe Emiratet u rreshtuan krah për krah kundër lëvizjeve islamiste, duke e parë përhapjen e tyre si kërcënim ekzistencial për rendin monarkik të Gjirit. Dy vendet ndërhynë ushtarakisht në Bahrein për të shtypur protestat dhe koordinuan mbështetjen për përmbysjen e qeverisë së Vëllazërisë Myslimane në Egjipt në vitin 2013.

Kulmi i bashkëpunimit ushtarak erdhi në mars të vitit 2015, kur Riadi dhe Abu Dhabi nisën ndërhyrjen në Jemen për të rikthyer qeverinë e rrëzuar nga rebelët Huthi, të mbështetur nga Irani. Emiratet udhëhoqën operacionet tokësore, ndërsa Arabia Saudite mbajti kontrollin e hapësirës ajrore dhe drejtimin politik të koalicionit.

Në vitin 2017, dy aleatët u shfaqën të sinkronizuar edhe në krizën me Katarin, duke udhëhequr bojkotin diplomatik dhe ekonomik ndaj Dohas. Ky moment forcoi lidhjen personale mes princit saudit Mohammed bin Salman dhe liderit de facto të Emirateve, Mohammed bin Zayed.

Çarje në Jemen dhe konkurrencë ekonomike

Megjithatë, në vitin 2019, Emiratet nisën një rishikim të strategjisë së tyre në Jemen, duke reduktuar ndjeshëm praninë ushtarake direkte dhe duke u fokusuar në mbështetjen e Këshillit Tranzitor Jugor (STC), një forcë separatiste që synon ndarjen e jugut të vendit. Ky hap e la Arabinë Saudite të përballej pothuajse e vetme me koston ushtarake dhe politike të luftës kundër Huthive.

Në shtator të vitit 2020, diferencat strategjike u thelluan edhe më tej, kur Emiratet normalizuan marrëdhëniet me Izraelin përmes Marrëveshjeve të Abrahamit. Arabia Saudite refuzoi të ndjekë këtë rrugë, duke insistuar në zgjidhjen e çështjes palestineze si parakusht. Ky vendim i dha Abu Dhabit një avantazh të qartë diplomatik në raportet me Uashingtonin.

Në fillim të vitit 2021, përçarjet u shfaqën edhe në qasjen ndaj Katarit. Ndërsa Riadi udhëhoqi procesin e pajtimit në samitin e Al-Ula, Emiratet e pranuan marrëveshjen me rezerva, duke ruajtur një qëndrim dukshëm më skeptik ndaj Dohas.

Rivalitet i hapur në ekonomi dhe energji

Tensionet u zhvendosën shpejt edhe në planin ekonomik. Në shkurt të vitit 2021, Arabia Saudite sfidoi drejtpërdrejt statusin e Dubait si qendër rajonale biznesi, duke u kërkuar kompanive shumëkombëshe të zhvendosin selitë e tyre në territorin saudit për të ruajtur aksesin në kontratat shtetërore.

Në korrik të po atij viti, Riadi hoqi përfitimet doganore për mallrat që vinin nga zonat e lira, një goditje direkte ndaj modelit ekonomik të Emirateve. Paralelisht, shpërtheu një përplasje e pazakontë brenda OPEC-ut, ku Emiratet bllokuan një marrëveshje të udhëhequr nga Arabia Saudite, duke kërkuar rritjen e kuotës së tyre të prodhimit të naftës.

Nga rivalitet indirekt në përplasje në terren

Në prill të vitit 2023, përçarja u reflektua edhe në Sudan. Arabia Saudite ndërmjetësoi bisedime për armëpushim duke mbështetur ushtrinë sudaneze, ndërsa ekspertë të Kombeve të Bashkuara akuzuan Emiratet për furnizimin me armë të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë – akuza që Abu Dhabi i hodhi poshtë.

Kulmi i tensionit erdhi në dhjetor të vitit 2025. Më 8 dhjetor, forcat e STC-së, të mbështetura nga Emiratet, morën kontrollin e zonave të pasura me naftë në Hadramaut, një zhvillim që Riadi e konsideroi shkelje të një “vije të kuqe” strategjike.

Vetëm pak javë më vonë, më 30 dhjetor, avionët sauditë goditën një anije në portin e Mukallës. Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite deklaroi se anija po transportonte armë të rënda për separatistët, duke shënuar për herë të parë një përplasje të drejtpërdrejtë ushtarake mes interesave saudite dhe atyre emirate në terren.