Misteri rreth tragjedisë në anijen turistike po thellohet edhe më shumë, pasi autoritetet kanë konfirmuar se tre persona në bord rezultojnë të infektuar me hantavirus, ndërsa dyshimet po përqendrohen te një shpërthim i virusit në rajonin e Patagonisë.
Sipas raportimeve të mediave britanike, një çift holandez që ndodhej në anije ishte identifikuar fillimisht si burimi i mundshëm i infeksionit në qytetin jugor të Ushuaias, ku ata kishin vizituar një zonë të njohur për vëzhgim zogjsh. Megjithatë, hetimet e fundit kanë rrëzuar këtë version.
Ekspertët epidemiologjikë në Argjentinë deklarojnë se çifti kishte kaluar më herët në Patagoni, ku aktualisht po regjistrohet një shpërthim i hantavirusit me mbi 100 raste të konfirmuara dhe dhjetëra viktima. Sipas tyre, periudha e inkubacionit të virusit tregon se infektimi ka shumë gjasa të ketë ndodhur atje dhe jo në Ushuaia.
“Kjo zonë nuk përputhet me habitatin e bartësit kryesor të virusit”, kanë deklaruar autoritetet shëndetësore, duke iu referuar miut “colilargo”, që konsiderohet përhapësi kryesor i variantit të Andeve.
Hetimet tregojnë se çifti kishte mbërritur në Ushuaia vetëm dy ditë para nisjes së anijes turistike, kohë e pamjaftueshme për zhvillimin e simptomave të sëmundjes.
Varianti i hantavirusit i identifikuar në këtë rast është ai i Andeve, një formë e rrezikshme që është raportuar më herët në provincat Neuquén, Río Negro dhe Chubut në Patagoninë veriore, ku autoritetet po përballen me një situatë alarmante shëndetësore.
Ministria e Shëndetësisë e Argjentinës ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me përfaqësues të 24 ministrive provinciale për të gjurmuar lëvizjet e çiftit dhe për të identifikuar burimin e saktë të shpërthimit. Sipas të dhënave zyrtare, këtë vit janë regjistruar 42 raste, ndërsa që nga qershori i kaluar numri i përgjithshëm ka arritur në 101 raste me 32 viktima, paqartësi ende mbetet mbi numrin e saktë të vdekjeve të shkaktuara nga varianti i Andeve.
Autoritetet theksojnë se virusi përhapet përmes thithjes së ajrit të kontaminuar me jashtëqitje, urinë ose pështymë të kafshëve bartëse, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar nëse ka pasur transmetim të drejtpërdrejtë midis njerëzve.
Ndërkohë, një zëdhënës i ministrisë së shëndetësisë në Kili ka deklaruar se periudha e inkubacionit nuk përputhet me itinerarin e udhëtimit të çiftit, duke shtuar: “Ata nuk e morën atë në vendin tonë.”
Viktimat e para të raportuara në anije janë ornitologu holandez Leo Silperod, 70 vjeç, dhe bashkëshortja e tij Miriam, 69 vjeçe. Sipas raportimeve, z. Silperod u sëmur dhe ndërroi jetë më 11 prill në bord, ndërsa bashkëshortja e tij vdiq disa ditë më vonë, më 24 prill, pasi gjendja e saj u përkeqësua gjatë kthimit drejt Holandës.
Autoritetet vazhdojnë hetimet ndërkombëtare për të përcaktuar origjinën e saktë të infeksionit dhe mënyrën e përhapjes së tij, ndërsa mbeten të paqarta lidhjet e mundshme me zonat e Patagonisë ku është raportuar shpërthimi më i madh i virusit në vitet e fundit.
