Ish-shefja diplomatike e BE-së, Federica Mogherini, ishte një nga tre personat e arrestuar nga policia belge të martën, në një hetim të gjerë për mashtrim mbi financimin e një akademie në Bruges për diplomatë të rinj.

Policia belge ka bastisur shërbimin diplomatik të BE-së, Kolegjin e Evropës dhe shtëpi private si pjesë e një hetimi mbi keqpërdorimin e fondeve të BE-së.

Një zëdhënës i Kolegjit, ku Mogherini ka qenë rektore që nga viti 2020, tha se nuk e dinte nëse ajo ishte arrestuar dhe refuzoi të komentonte më tej. Mogherini drejtoi Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) nga viti 2014 deri në vitin 2019 dhe ka qenë drejtoreshë e Akademisë që nga viti 2022. Një tjetër punonjës i Kolegjit të Evropës, i përfshirë në departamentin e arsimit ekzekutiv, u ndalua gjithashtu.

Edhe zyrtari i lartë i Komisionit Evropian, Stefano Sannino është vënë në pranga. Sannino më parë ishte sekretar i përgjithshëm i EEAS-it nën drejtimin e Mogherinit, gjatë periudhës kur u krijua Akademia Diplomatike. Ai është aktualisht drejtor i përgjithshëm i departamentit të Komisionit për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Gjirin.

Komisioni konfirmoi se policia ishte e pranishme të martën në ndërtesat e EEAS-së, dhe kjo është pjesë e hetimit të vazhdueshëm mbi aktivitetet e kryera gjatë mandatit të mëparshëm.

“Gjysmë ore më parë, u informova për atë që po ndodh në Bruges”, tha Herman Van Rompuy, ish-presidenti i Këshillit Evropian, i cili tani është president i këshillit administrativ të Kolegjit të Evropës në Bruges.