Një ngjarje tragjike ka ndodhur gjatë një koncerti në Madison Square Garden, ku një burrë 51-vjeçar humbi jetën pasi ra nga një lartësi e konsiderueshme brenda arenës.
Sipas New York City Police Department, viktima është identifikuar si Paul Cooker, banues në Connecticut. Ekipet e emergjencës e gjetën atë pa ndjenja dhe me plagë të rënda që dyshohet se janë shkaktuar nga rënia.
51-vjeçari u transportua me urgjencë në spital, por fatkeqësisht nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa deri tani është përjashtuar mundësia e një akti kriminal.
Sipas mediave amerikane, Paul Cooker kishte shkuar në koncert së bashku me bashkëshorten e tij për të ndjekur performancën e grupit rock Goose.
Pas ngjarjes, grupi muzikor reagoi përmes një deklarate, duke u shprehur “thellësisht i tronditur” nga ajo që ndodhi. Ata konfirmuan gjithashtu se koncerti i planifikuar në Central Park do të mbahet, ndërsa të ardhurat do të dhurohen për organizata bamirëse që mbështesin komunitetin e fansave të tyre.
“Ne menduam gjatë nëse duhej të performonim sot, por vendosëm se mënyra më e mirë për të përballuar këtë moment është të qëndrojmë së bashku dhe të mbështesim njëri-tjetrin”, thuhet në reagimin e grupit.
