Një takim mes Donald Trump dhe Xi Jinping pritet të zhvillohet javën e ardhshme në Pekin, në një moment delikat për marrëdhëniet mes dy fuqive më të mëdha globale.

Në qendër të diskutimeve do të jenë lufta me Iranin, tensionet tregtare, Tajvani dhe siguria në Azi, ndërsa samiti shihet si një përpjekje për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të rivalitetit SHBA-Kinë.

Takimi vjen në një kohë kur armëpushimi tregtar mes dy vendeve po vihet sërish në provë. Situata është komplikuar edhe më shumë pas përfshirjes së SHBA-së në konfliktin me Iranin, aleatin kryesor të Kinës në Lindjen e Mesme, çka ka krijuar tensione të reja energjetike dhe strategjike.

Nga ana tjetër, Pekini po përballet me ngadalësim ekonomik, rritje të kostove të energjisë dhe frikën e një recesioni global, duke e bërë samitin edhe më të rëndësishëm për stabilitetin ekonomik ndërkombëtar.

Sipas raportimeve, Uashingtoni do të kërkojë më shumë blerje kineze të produkteve amerikane, përfshirë avionë të Boeing, mish viçi dhe sojë, si dhe marrëveshje të reja ekonomike që nuk cenojnë sigurinë kombëtare amerikane.

Ndërkohë, Kina pritet të kërkojë lehtësim të tarifave tregtare, zbutje të kufizimeve për teknologjinë e çipave dhe ulje të mbështetjes amerikane për Tajvanin.

Në tryezë mund të diskutohet edhe çështja e inteligjencës artificiale, siguria në Detin e Kinës Jugore dhe trafiku i fentanilit.

Megjithatë, analistët nuk presin një marrëveshje të madhe historike. Më i mundshëm shihet një kompromis i kufizuar dhe zgjatja e armëpushimit tregtar për të shmangur përplasjet e reja ekonomike.

Pika më e ndjeshme mbetet Irani. Pekini ka kritikuar në mënyrë indirekte veprimet amerikane në rajon, ndërsa SHBA ka vendosur sanksione ndaj kompanive kineze të lidhura me tregtinë e naftës iraniane. Kina, nga ana e saj, ka udhëzuar kompanitë vendase të mos zbatojnë këto masa amerikane.

Samiti pritet të sjellë një qetësim të përkohshëm të tensioneve, por rivaliteti strategjik mes SHBA-së dhe Kinës mbetet i fortë dhe larg zgjidhjes.