Lajmi për arrestimin e ish-Princit Andrew, tani i njohur si Prince Andrew, Duke of York (Andrew Mountbatten-Windsor), në mëngjesin e 19 shkurtit, pikërisht në ditëlindjen e tij, ka tronditur opinionin publik. Megjithatë, ky nuk është rasti i parë që anëtarët e familjes mbretërore britanike përballen me telashe ligjore, dhe historia e monarkisë britanike ka pasur disa “aventura” me drejtësinë.
Një nga ngjarjet më dramatike ka qenë ekzekutimi i Charles I në vitin 1649. Pasi u kap rob gjatë Luftës Civile Angleze nga forcat parlamentare, ai u gjykua për tradhti të lartë dhe, pas shpalljes së fajësisë, iu pre koka. Charles I mbeti i vetmi mbret britanik që u ekzekutua zyrtarisht nga shteti. Më vonë, në fund të shekullit XIX, Edward VII, në atë kohë Princ i Uellsit, u përfshi në një skandal bixhozi, i njohur si skandali Baccarat i vitit 1890, një çështje që e dëmtoi rëndë reputacionin e tij publik dhe që përfundoi në Gjykatën e Lartë. Ai ishte gjithashtu anëtari i fundit i familjes mbretërore që dha dëshmi në gjykatë deri në paraqitjen e Prince Harry, ‘Duke of Sussex’ më shumë se një shekull më vonë.
Edhe Princesha Anne, më e njohura për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, ka pasur përballje me ligjin. Ajo është ndëshkuar për tejkalim shpejtësie në vitet ’70, ka marrë gjoba dhe ka pasur pezullim të patentës në vitin 1990. Po ashtu, në vitin 2002, ajo u dënua sipas Aktit për Qentë e Rrezikshëm pasi qeni i saj kafshoi dy fëmijë. Disa nga incidentet e tjera përfshijnë edhe aksidentin e Prince Philip, Duke of Edinburgh, në vitin 2019, kur Land Rover-i që drejtonte u përmbys pas një përplasjeje me një automjet tjetër. Megjithëse pati të lënduar, Prokuroria vendosi të mos ngrinte akuza dhe ai dorëzoi patentën e drejtimit.
Në vitin 2005, Charles III, atëherë Princ i Uellsit, u mor në pyetje si dëshmitar në hetimet për vdekjen e Dianës, pasi një shënim i saj i mëhershëm ngrinte dyshime. Megjithatë, hetimet nuk gjetën prova për përfshirjen e tij dhe ai nuk u konsiderua asnjëherë i dyshuar.
Të gjitha këto incidente dëshmojnë se, pavarësisht statusit dhe privilegjeve, familja mbretërore britanike nuk ka qenë e imunizuar nga përballjet me ligjin. Këto ngjarje reflektojnë tensionet historike mes pushtetit, përgjegjësisë publike dhe llogaridhënies, duke treguar se as një monarki nuk është e shfajësuar nga pasojat e ligjit.
