Dosjet e Jeffrey Epstein supozohej të ishin një ushtrim transparence qeveritare, por në të njëjtën kohë kanë krijuar një univers të errët teorish konspirative.
Disa prej tyre janë të reja, ndërsa të tjera janë variante të thashethemeve më të vjetra, të ushqyera nga inteligjenca artificiale, të nxitura nga politikanë dhe që lulëzojnë në qoshe të ndryshme të internetit. Nga më seriozet deri te më të çuditshmet, teoritë përfshijnë madje edhe CIA-n.
Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të dallohet se çfarë tregojnë realisht dokumentet, shkruan CNN. Kjo vijë ndarëse mes së vërtetës dhe të rremes nënvizon se si dezinformimi dhe teoritë e konspiracionit janë tashmë të rrënjosura në diskursin publik amerikan dhe shpërqendrojnë nga kërkimi i përbashkët për drejtësi.
A ishte Epstein spiun?
Ekziston teoria se Epstein punonte për Rusinë ose Izraelin. Ai kishte tentuar disa herë të takohej me Vladimir Putin përmes ish-kryeministrit izraelit Ehud Barak.
Kremlini deklaroi se pretendimi se Epstein ishte spiun rus nuk qëndron dhe është i pavërtetë. Megjithatë, kryeministri polak Donald Tusk ka bërë të ditur së fundmi se qeveria e tij do të hetojë lidhje të mundshme mes Epstein dhe rusëve.
Lidhje me Mossad-in
Ehud Barak, ish-lider izraelit dhe bashkëpunëtor i Epstein, ka deklaruar se i vjen keq që e ka njohur financierin e dënuar për krime seksuale, ndërsa Benjamin Netanyahu ka theksuar se marrëdhënia e Epstein me Barak dëshmon se ai nuk ka punuar për Izraelin.
Teoria se Epstein ishte agjent i Mossad-it mbetet një nga më këmbëngulëset, pasi ushqen pikëpyetjet mbi mënyrën se si ai ndërtoi pasurinë e tij. Thomas Massie, kongresmen republikan nga Kentaki, i cili ndihmoi në publikimin e dosjeve, ka shprehur publikisht dyshime dhe shqetësime për lidhjet e Epstein me Izraelin.
Skandale reale dhe akuza të rreme
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka paralajmëruar se dosjet përfshijnë akuza “të pabazuara dhe të rreme”. Për shembull, ka referenca të paverifikuara për ngacmime seksuale që përfshijnë edhe Donald Trump. Disa akuza janë fabrikuar në internet pas publikimit të dokumenteve, shpesh duke u ndërthurur me skandale reale.
Qeveria franceze deklaroi se grupi rus i propagandës “Storm 1516” po përpiqej të përhapte dezinformim mbi kontakte të supozuara të Epstein me presidentin francez Emmanuel Macron, diçka që nuk ka ekzistuar.
Ndërkohë, Franca po heton lidhjet e Epstein me ish-ministrin e Kulturës Jack Lang, pasi dokumentet zbuluan materiale dhe lidhje financiare me të. Lang mohon çdo marrëdhënie dhe ka deklaruar se e pret hetimin “me qetësi dhe lehtësim”.
Është fakt se marrëdhëniet e Epstein me një figurë të lartë të Partisë Laburiste në Mbretërinë e Bashkuar, ish-ambasadorin amerikan Peter Mandelson, kanë shkaktuar shqetësim në qeverinë e Keir Starmer.
Megjithatë, në internet qarkullojnë foto të rreme, si një imazh i manipuluar me AI që lidh Epstein me Nigel Farage, si dhe një tjetër që paraqet Zohran Mamdani fëmijë në një foto me Epstein, Bill Clinton, Bill Gates dhe Jeff Bezos, një montazh që ishte qartazi parodi, shkruan CNN.
Një shembull më pak serioz është videoja e krijuar nga regjisori irlandez Ruairi Robinson, ku shfaqen Brad Pitt dhe Tom Cruise duke u përleshur, me pretendimin se Epstein kishte lidhje me Rusinë.
Një “Komision i së Vërtetës” në New Mexico
Në New Mexico, një email i vitit 2019 për një vrasje të supozuar të dy grave “të huaja” në pronën Zorro çoi Kongresin lokal të votojë për krijimin e një Komisioni të së Vërtetës për hetim. Email-i kërkonte bitcoin në këmbim të një USB-je me informacione. DJ Eddy Aragon e përcolli çështjen në FBI, por nuk pati zhvillime të mëtejshme.
Administrata Trump ka deklaruar se publikimi i dokumenteve është në thelb i përfunduar, megjithëse disa mbahen për arsye procedurale gjyqësore. Nga rreth 6 milionë dokumente, janë publikuar 3.5 milionë.
Hillary Clinton ka deklaruar se publikimi i ngadaltë dhe me shumë redaktime i dosjeve është shenjë e një “mbulimi të vazhdueshëm” nga administrata Trump. Ajo ka kërkuar që dëshmitë e saj dhe të Bill Clinton para një komisioni të Kongresit të kontrolluar nga republikanët të bëhen publike me transparencë të plotë.
Clinton thekson se teori konspirative si Pizzagate po ringjallen me publikimin e dosjeve, duke krijuar lidhje të rreme me pedofilë dhe viktima të mitura.
Foto të rreme shkollash dhe video-lojëra
Kompania Lifetouch, e cila realizon fotografi shkollore, nuk ka lidhje me dosjet. Leon Black, një nga financuesit kryesorë të Epstein, dha dorëheqjen nga Apollo Global Management për shkak të marrëdhënies me financierin e ndjerë, por Lifetouch nuk ka asnjë përfshirje në aktivitete të paligjshme.
Teoria se Epstein është gjallë dhe luan Fortnite u hodh poshtë nga kompania, e cila konfirmoi se gjithçka ishte “e sajuar” dhe se llogaritë që qarkullonin i përkisnin përdoruesve të tjerë./CNN




