Qeveria e Ekuadorit ka ekstraduar të dielën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës trafikantin famëkeq të drogës, Adolfo Macias, i njohur me nofkën “Fito”. Ai konsiderohet si kreu i bandës kriminale “Los Choneros” dhe një nga figurat më të rrezikshme të trafikut të drogës në Amerikën Latine.
Macias u arrestua muajin e kaluar, pas arratisjes së bujshme nga një burg i sigurisë së lartë në vitin 2024. Ekstradimi i tij ndodhi pak ditë pasi ai kishte pranuar në gjykatë të përballej me drejtësinë amerikane.
Sipas aktakuzës së publikuar nga Zyra e Prokurorit në SHBA në muajin prill, Macias akuzohet për shpërndarje ndërkombëtare të kokainës, komplot kriminal, dhunë me armë dhe kontrabandim armësh. Departamenti Amerikan i Drejtësisë njoftoi se ai do të paraqitet në gjykatën federale të hënën.
Adolfo Macias është shtetasi i parë ekuadorian që ekstradohet në SHBA pas hyrjes në fuqi të një ligji të ri në vitin 2024. Ligji u miratua përmes një referendumi të mbajtur nga presidenti Daniel Noboa, si pjesë e përpjekjeve për të forcuar luftën kundër krimit të organizuar dhe bandave që kontrollojnë burgjet dhe aktivitetet ilegale në vend.
Nga një shofer taksie, Macias u shndërrua në një nga bosët më të mëdhenj të drogës në rajon, me ndikim të gjerë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe në rrjetet kriminale të armatosura.




