Autoritetet turke kanë ndaluar një emigrant të parregullt, i cili u përpoq të kalonte detin duke notuar drejt ishujve grekë pa përdorur asnjë mjet lundrues.

Sipas raportimeve nga Turqia, ngjarja është regjistruar në brigjet e Bodrumit, në rajonin e Muglës, ku qytetarët kanë njoftuar autoritetet për një person që po notonte në mënyrë të rrezikshme në drejtim të detit të hapur.

Pas sinjalizimit, ekipet e Komandës së Rojës Bregdetare Turke janë nisur menjëherë në zonë dhe kanë zhvilluar një operacion kërkim-shpëtimi në det.

Gjatë ndërhyrjes, një anije e rojes bregdetare ka identifikuar personin në ujë, i cili dyshohet se po përpiqej të arrinte në ishujt grekë përmes notit. Ai është shpëtuar në kohë dhe është nxjerrë në breg.

Më pas, emigranti i ndaluar është marrë në kujdes dhe i është dorëzuar autoriteteve përkatëse për kontrolle mjekësore dhe procedurat ligjore në vijim.