Njoftimi i Donald Trump për rikthimin e testimeve bërthamore në Shtetet e Bashkuara ka shkaktuar shqetësim global, pasi do të ishte hera e parë pas 33 vitesh që SHBA ndërmerr një veprim të tillë – që nga viti 1992.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump deklaroi:
“Për shkak të programeve të testimit të vendeve të tjera, kam udhëzuar Departamentin e Mbrojtjes që të rifillojë testimin e armëve tona bërthamore në kushte të barabarta.”
Sipas The New York Times, shprehja “në kushte të barabarta” mund të nënkuptojë se presidenti synon të demonstrojë fuqinë e arsenalit amerikan — raketave ose armëve bërthamore të lëshuara nga nëndetëset — pa kryer domosdoshmërisht një shpërthim real bërthamor.
Vendimi i papritur i Trump vjen pas njoftimit të presidentit rus Vladimir Putin se Rusia kishte testuar me sukses raketën bërthamore Burevestnik dhe dronin nënujor Poseidon. Sipas NYT, është e mundur që zemërimi ndaj këtyre zhvillimeve ruse ta ketë shtyrë Trumpin drejt këtij vendimi, të cilin ai e shpalli teksa udhëtonte për një takim me presidentin kinez Xi Jinping.
Trump kritikoi hapur Moskën, duke thënë se Putin “duhet të fokusohet në përfundimin e luftës në Ukrainë, jo në testimin e raketave bërthamore”.
Një tjetër faktor shqetësues për SHBA-në është zgjerimi i arsenalit bërthamor të Kinës. Pekini nuk ka nënshkruar asnjë traktat ndërkombëtar për kontrollin e armëve bërthamore, dhe nën udhëheqjen e Xi Jinping ka ndërtuar dhjetëra silo të reja raketash. Sipas Pentagonit, Kina mund të arrijë 1,000 koka bërthamore deri në vitin 2030 dhe 1,500 deri në 2035, duke u afruar me nivelet e SHBA-së dhe Rusisë. Megjithatë, aktualisht Pekini nuk ka shfaqur interes për t’u përfshirë në bisedime çarmatimi, ndonëse Trump ka deklaruar se beson se mund ta bindë Xi-në për negociata.
Sipas Institutit Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes në Stokholm (SIPRI), SHBA zotëron 5,117 koka bërthamore dhe Rusia 5,489. Në total, nëntë shtete – përfshirë Kinën, Francën, Britaninë, Pakistanin, Indinë, Izraelin dhe Korenë e Veriut – kanë më shumë se 12,200 armë bërthamore.
Ekspertët amerikanë kanë vlerësuar për vite me radhë se testet bërthamore janë të panevojshme, pasi mund të zëvendësohen me simulime kompjuterike. Megjithatë, rifreskimi i arsenalit amerikan ka ringjallur debatet për rifillimin e testeve reale. NYT paralajmëron se nëse Trump ndërmerr një test, ndoshta në shkretëtirën e Nevadës, kjo mund të nxisë reagime të ngjashme nga Britania, Franca, Izraeli, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut.
Aktualisht, SHBA dhe Rusia janë të lidhura me traktatin New START, që kufizon secilin vend në 1,550 koka bërthamore aktive dhe parashikon inspektime të ndërsjella – megjithatë, marrëveshja është pezulluar prej dy vitesh dhe pritet të skadojë në shkurt. Në fillim të tetorit, Putin propozoi zgjatjen e saj për një vit, por pa përfshirë rikthimin e inspektimeve.
Në kujtesë mbetet fakti se gjatë mandatit të parë, në vitin 2019, Trump e tërhoqi SHBA-në nga traktati i armëve bërthamore me rreze të mesme (INF), i nënshkruar me Moskën në vitin 1987.
Që nga testi i parë bërthamor në korrik 1945 në shkretëtirën e New Mexico-s, SHBA ka kryer 1,054 teste bërthamore, përpara se Presidenti George H. W. Bush të vendoste moratoriumin në vitin 1992 — i cili tani, pas tri dekadash, mund të marrë fund.
