Një 12-vjeçare nga Karolina e Veriut, SHBA, është rrëmbyer nga xhaxhai 38-vjeçar i shoqes së saj, ndërsa më pas është gjetur e plagosur nga një grua që po udhëtonte me makinë pranë zonës.

Vajza u gjet mesditën e së dielës nga Jennifer Maxwell, një profesioniste e kujdesit shëndetësor, e cila po kthehej në shtëpi kur pa 12-vjeçaren duke dalë me vrap nga pylli.

Sipas dëshmisë së Maxwell, vajza ishte e mbuluar me gërvishtje, ishte zbathur dhe kishte plagë në këmbë dhe në duar. 12-vjeçarja i tha se ishte rrëmbyer.

Fëmija tregoi se kishte kaluar natën në shtëpinë e shoqes së saj më të mirë, e cila jeton aty pranë. Sipas saj, Daniel Francis Geer, 38 vjeç, xhaxhai i shoqes, e kishte zgjuar dhe më pas e kishte marrë me kamionin e tij drejt një zone pyjore.

Geer dyshohet se e ka detyruar vajzën të ecte me të për orë të tëra nëpër pyll. Maxwell tha se e pa 12-vjeçaren të dilte me vrap nga zona e pyllëzuar dhe të binte në një hendek, ndërsa qante.