Policia peruane ka përdorur një metodë të pazakontë për të arrestuar një person të dyshuar për trafik droge, duke u maskuar si maskotat zyrtare të Kupës së Botës 2026. Autoritetet kishin zbuluar se i dyshuari ishte një tifoz i flaktë i futbollit, çka i shtyu hetuesit të hartonin një plan të veçantë për t’iu afruar pa ngjallur dyshime. Oficerët u veshën si dreri “Maple” dhe shqiponja tullace “Clutch”, dy maskotat e Botërorit 2026, dhe iu afruan banesës së tij në Lima.

“Falë punës së inteligjencës së kryer nga ekipi, arritëm të përcaktonim se personi që do të arrestonim ishte një tifoz fanatik i futbollit, i cili jetonte me ethet e Kupës së Botës. Kështu vendosëm të maskonim anëtarët e ekipit si maskotat e Botërorit për t’iu afruar pa ngjallur dyshime dhe për të kryer arrestimin”, deklaroi një zyrtar policor, sipas Daily Mail.

Gjatë operacionit, policët thyen portën hyrëse të kompleksit ku ndodhej i dyshuari. Pasi hynë në ambientet e brendshme, ata e ndoqën për disa çaste para se ta neutralizonin dhe arrestonin. Sipas autoriteteve, gjatë kontrollit në banesë u sekuestruan lëndë narkotike, një armë zjarri dhe një thikë. Hetimet për rastin vijojnë.