Një tragjedi e rëndë ka goditur Meksikën, ku të paktën 23 persona, mes tyre edhe fëmijë, kanë humbur jetën dhe 11 të tjerë janë plagosur në një zjarr që përfshiu një rrjet dyqanesh në qytetin verior të Hermosillos. Ngjarja ndodhi në një prej dyqaneve të zinxhirit Waldo’s, në kryeqytetin e shtetit të Sonora-s.

“Deri më tani janë konfirmuar 23 viktima dhe 11 persona të plagosur që po marrin trajtim mjekësor në spitale të ndryshme të qytetit. Fatkeqësisht, mes viktimave ka edhe të mitur. Kjo tragjedi ka prekur thellë të gjithë banorët e Sonorës,” deklaroi guvernatori i shtetit, Alfonso Durazo.

Sipas mediave ndërkombëtare, mes viktimave janë 12 gra, pesë burra, katër djem dhe dy vajza. Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, shprehu ngushëllimet e saj për familjet e viktimave dhe urdhëroi dërgimin e ekipeve të shpëtimit në vendngjarje.

“U shpreh ngushëllimet e mia më të thella familjeve dhe të afërmve të atyre që humbën jetën në zjarr,” shkroi Sheinbaum në një postim në rrjetet sociale, duke bërë të ditur se i kishte kërkuar Ministres së Brendshme, Rosa Isela Rodríguez, të dërgonte një ekip mbështetës për ndihmën e familjeve dhe të plagosurve.

Ndërkohë, Sekretariati i Sigurisë Publike i Sonorës bëri të ditur se zjarri nuk ishte rezultat i një zjarrvënie të qëllimshme apo akti kriminal, por nuk dha ende detaje mbi shkakun e saktë të shpërthimit.