Një ngjarje e rëndë ka tronditur shtetin amerikan të Iowa-s, ku gjashtë persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Sipas autoriteteve policore, ngjarja e rëndë ndodhi pas një mosmarrëveshjeje familjare, ku agresori pasi ekzekutoi pesë persona, vrau edhe veten.

I dyshuari për këtë krim makabër është identifikuar si Ryan Willis McFarland, 52 vjeç, ndërsa të gjitha viktimat besohet se janë anëtarë të familjes së tij.

Policia u njoftua për të shtënat menjëherë pas mesditës të së hënës (sipas kohës lokale). Ngjarja u zhvillua në disa lokacione të ndryshme. Kur oficerët mbërritën në vendngjarje, gjetën katër persona të qëlluar me armë zjarri. Pasi kishte kryer vrasjet, 52-vjeçari ishte larguar nga banesa përpara mbërritjes së policisë. Ai u gjet pak më vonë nga zyrtarët, i vdekur nga një plagë e vetë-shkaktuar me armë zjarri.

Gjatë hetimeve në terren, detektivët gjetën një burrë tjetër të vdekur nga arma e zjarrit në një banesë tjetër.Kërkimet e mëtejshme i çuan oficerët drejt një biznesi lokal, ku u gjet edhe viktima e pestë e kësaj tragjedie, po ashtu e qëlluar për vdekje.

Policia konfirmoi se autori, Ryan Willis McFarland, kishte precedentë të mëparshëm penalë, mirëpo nuk u dhanë detaje specifike se për çfarë vepër bëhej fjalë.

Për shkak të fazës fillestare të hetimeve dhe respektit ndaj familjarëve, autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur moshën apo identitetin e viktimave, duke u mjaftuar me faktin se të gjithë ishin të afërm të 52-vjeçarit. Detektivët po punojnë për të zbardhur plotësisht motivet e kësaj masakre.