Një stuhi e fuqishme që po shkon drejt Australisë Perëndimore (ëA) është intensifikuar në një sistem të kategorisë së pestë. Mediat e huaja, raportojnë se cikloni i rëndë tropikal Ilsa pritet të godasë Port Hedland, në veri të shtetit, mbrëmjen e kësaj të enjteje.
Një alarm i kuq është lëshuar në të gjithë rajonin, dhe njerëzit janë lajmëruar të gjejnë strehim. Ndërsa Australia veriore nuk është e huaj për ciklonet, kjo stuhi parashikohet të jetë më e forta që ka goditur rajonin në 14 vjet.
“Bërthama shumë shkatërruese” e stuhisë do të sjellë erëra ekstreme” deri në 315 km/h (195 mph) në pjesë të rajoneve Kimberley dhe Pilbara, tha Byroja e Meteorologjisë (BOM).
“Ka një kërcënim për jetët dhe shtëpitë. Jeni në rrezik dhe duhet të veproni menjëherë,” tha Departamenti i Shërbimeve të Zjarrfikësve dhe Emergjencave, kur alarmi i kuq u dha të enjten pasdite, sipas kohës lokale.
Banorët, duke përfshirë rreth 15,000 njerëz në Port Hedland, porti më i madh eksportues i mineralit të hekurit në botë, janë urdhëruar të strehohen brenda dhe të qëndrojnë larg dyerve dhe dritareve.