Forcat e armatosura iraniane goditën më 9 korrik infrastrukturën ushtarake amerikane në shtetet fqinje të Gjirit, pas sulmeve amerikane ndaj provincave jugore bregdetare dhe lindore të Iranit, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi marrëveshjen e armëpushimit që zgjati tre javë.

Çmimet e naftës, të cilat ishin rritur ndjeshëm për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin e sulmeve të reja në furnizimet globale, ranë sërish të enjten, ndërsa investitorët po vlerësojnë nëse përshkallëzimi është vetëm taktik dhe i përkohshëm apo sinjalizon prishjen e plotë të armëpushimit.

Ushtria amerikane deklaroi më 8 korrik se sulmet e saj të fundit ndaj Iranit kishin për qëllim mbajtjen të hapur të Ngushticës së Hormuzit, pasi Irani kishte shënjestruar tre cisterna në zonë. Sulmi ndodhi vetëm disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se armëpushimi i përkohshëm me Iranin kishte marrë fund.

Megjithëse Irani nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj anijeve, analistët vlerësojnë se Teherani përdor veprime të tilla për të rritur ndikimin e tij në negociata. Një audio e siguruar nga Reuters, që i atribuohet marinës së Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, dëgjohet të japë urdhrin: “Vëmendje të gjitha anijeve. Kjo është marina e Sepahut. Nga ky moment çdo lundrim përmes Ngushticës së Hormuzit është i ndaluar. Asnjë anije nuk lejohet të kalojë përmes Ngushticës së Hormuzit deri në një njoftim të dytë.”

Pamjet tregojnë gjithashtu cisternën Skylight të përfshirë nga flakët pranë brigjeve të Omanit, ndërsa autoritetet detare të Omanit njoftuan se anija ishte sulmuar pranë gadishullit Musandam.

Para shpërthimit të luftës më 28 shkurt, pas sulmeve amerikane dhe izraelite kundër Iranit, rreth një e pesta e furnizimit global me naftë kalonte përmes Ngushticës së Hormuzit. Që atëherë, Teherani ka vendosur kontroll efektiv mbi këtë korridor detar, duke e përdorur atë si mjet për të imponuar një ngërç në përballjen me ushtrinë më të fuqishme në botë.

“Ngushtica e Hormuzit është një pikë shumë e ngushtë kalimi në Gjirin Persik, e vendosur në jug të Iranit dhe në veri të Emirateve të Bashkuara Arabe. Përmes saj kalon një pjesë shumë e madhe e energjisë botërore – nafta, produktet e naftës dhe gazi natyror i lëngëzuar. Rreth 20 për qind e naftës që konsumon bota kalon çdo ditë përmes kësaj ngushtice. Në thelb, kjo rrugë ujore shumë e ngushtë është jetike për ekonominë globale”, thotë Naveen Das, analist i lartë i kompanisë KPLER.

Megjithëse ekzistojnë disa alternativa për transportin e naftës, Das thekson se ato nuk mund ta zëvendësojnë plotësisht Hormuzin.

“Arabia Saudite ka tubacionin Lindje–Perëndim, i cili mund të transportojë naftë drejt Detit të Kuq, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe kanë një tjetër tubacion me kapacitet rreth dy milionë fuçi në ditë. Ekziston edhe një tubacion nga rajoni kurd i Irakut drejt Turqisë. Megjithatë, teorikisht vetëm rreth 45 për qind e fluksit që kalon përmes Hormuzit mund të devijohet.”

Analisti paralajmëroi se ndikimi nuk kufizohet vetëm te tregjet e energjisë.

“Kjo do të thotë një ndikim shumë të madh në inflacionin global. Ky konflikt ka pasoja në të gjithë botën, duke ndikuar në çmimet e një game të gjerë mallrash.”

Sipas tij, rritja e çmimeve të naftës dhe kostove të transportit do të prekë drejtpërdrejt konsumatorët.

“Çmimet e naftës janë rritur, janë rritur edhe kostot e transportit detar, por edhe fitimet e rafinerive. Kjo i shtyn ato të sigurojnë më shumë naftë për të prodhuar benzinë dhe karburant avionësh. Si pasojë, konsumatorët do të përballen me rritje të kostove të udhëtimit, por edhe të çmimit të ushqimeve, pasi transportimi i mallrave deri në supermarket bëhet më i shtrenjtë. Këto janë vetëm disa nga mënyrat se si kriza në Hormuz ndikon në jetën e përditshme të njerëzve në mbarë botën.”

Për sa kohë tensionet vazhdojnë në rajon, Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të ndjeshme për tregtinë globale dhe çdo zhvillim aty mund të ndikojë drejtpërdrejt çmimet e energjisë dhe ekonominë botërore.