Një zbulim i rrallë arkeologjik në Suedi ka hedhur dritë mbi strukturat familjare të komuniteteve të epokës së gurit, pasi studiuesit analizuan varre 5 500-vjeçare në zonën Ajvide, në ishullin Gotland. Në një nga varret u gjet skeleti i një vajze 12 deri në 14 vjeçe, e shtrirë në shpinë, me eshtrat e të atit të vendosura mbi kraharor. Sipas studiuesve, mbetjet e babait mund të jenë zhvendosur nga një vend tjetër dhe më pas të jenë vendosur në varrin e vajzës.
Në total, në Ajvide janë zbuluar 85 varre, prej të cilave tetë përmbajnë dy ose më shumë individë. Studiues nga Universiteti i Uppsalës analizuan ADN-në e katër prej varreve të përbashkëta për të kuptuar lidhjet familjare mes të varrosurve. Rezultatet treguan se shumë prej tyre ishin të afërm të shkallës së dytë ose të tretë, si kushërinj apo hallë e mbesë, dhe jo domosdoshmërisht prind e fëmijë, siç ishte supozuar më parë.
Në një tjetër varr u gjet një grua rreth 20 vjeçe e varrosur me dy fëmijë, 4 dhe 1.5 vjeç. Analiza gjenetike tregoi se fëmijët ishin motër e vëlla, por gruaja nuk ishte nëna e tyre. Studiuesit besojnë se ajo mund të ketë qenë halla ose gjysmë-motra e tyre. Një varr tjetër përmbante një djalë dhe një vajzë, të cilët sipas ADN-së ishin të afërm të shkallës së tretë, me shumë gjasë kushërinj.




