Një bombë e mbetur nga Lufta e Dytë Botërore është zbuluar mes një ngarkese me patate në ambientet e një kompanie shpërndarëse fruta-perimesh në Wielsbeke, në rajonin e Flandrës Perëndimore, në Belgjikë.

Zbulimi u bë të premten, rreth orës 09:30, kur punonjësit e kompanisë vunë re objektin shpërthyes mes patateve. Dyshohet se bomba ishte nxjerrë nga toka gjatë procesit të vjeljes dhe më pas kishte përfunduar në ngarkesën e transportuar.

Sipas informacioneve, bëhej fjalë për një bombë amerikane të Luftës së Dytë Botërore, e cila ishte ende e aktivizuar.

Pas mbërritjes në vendngjarje, Shërbimi për Asgjësimin e Mjeteve Eksplozive vendosi që bomba të shpërthente në mënyrë të kontrolluar, pasi transportimi i saj paraqiste rrezik të lartë.

Operacioni u krye në fund të paradites, në një fushë pranë fabrikës së kompanisë Agristo, ku mjeti shpërthyes u asgjësua.