Presidenti francez Emmanuel Macron emëroi Sébastien Lecornu si kryeministrin e ri të Francës, pas rrëzimit të François Bayrou nga Parlamenti të hënën.
Lecornu, 39 vjeç dhe aktualisht Ministër i Mbrojtjes, është një nga figurat më të afërta dhe besnike të Macron. Ai konsiderohet një politikan i ri, por me përvojë të gjerë në administratë dhe në skenën politike franceze.
Ky emërim vjen në një moment të ndjeshëm për qeverinë franceze, teksa Macron synon të rifitojë stabilitet pas trazirave politike të javëve të fundit.
Sébastien Lecornu zëvendëson François Bayrou, i cili humbi mbështetjen parlamentare pas kalimit të një mocioni mosbesimi në Asamblenë Kombëtare.
Pritet që Lecornu të sjellë një frymë të re në krye të ekzekutivit, me fokus të veçantë në sigurinë kombëtare dhe menaxhimin e krizave ndërkombëtare, fusha ku ka pasur një rol aktiv si ministër.