Rusia ka raportuar se forcat e saj po përparojnë në një rajon ukrainas ku më parë nuk ka arritur të pushtojë territor, vetëm disa ditë pasi një zyrtar i Kievit paralajmëroi se Moska dëshiron të marrë gjysmën e Ukrainës deri në fund të vitit të ardhshëm. Ministria ruse e Mbrojtjes dhe zyrtarët e Kremlinit thanë se forcat e tyre kishin depërtuar në kufirin midis rajoneve të Donetskut dhe Dnipropetrovskut, pas raporteve të pakonfirmuara se forcat ruse kishin hyrë gjithashtu në rajonin e Sumit. Javën e kaluar, nga ana tjetër, nënkryetari i zyrës së presidentit ukrainas, koloneli Pavlo Palisa , paraqiti një hartë që sipas tij tregonte qëllimet e Rusisë për të pushtuar rajonet e Donetskut dhe Luhanskut deri më 1 shtator dhe të Odesës dhe Mykolaivit deri në fund të vitit 2026. Në shtator të vitit 2022, Vladimir Putin shpalli aneksimin e katër rajoneve ukrainase, Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia, të cilat Moska nuk i kontrollon plotësisht.
Harta
Harta që Palisa u tregoi gazetarëve tregon atë që Kievi beson se mund të ndodhë në 18 muajt e ardhshëm nëse Putini nuk ndalet, raporton Newsweek. Kjo hartë, e kombinuar me mesazhet aktuale të Moskës në lidhje me operacionin e saj të fundit, tregon ambiciet më të gjera territoriale të Kremlinit në Ukrainë, të cilat shkojnë përtej kërkesave dhe kushteve të bisedimeve që Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, është përpjekur të ndërmjetësojë. Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se Divizioni i saj i 90-të i Tankeve ka arritur në kufirin perëndimor të Oblastit të Donetskut dhe po zhvillon një ofensivë në Oblastin e Dnipropetrovskit, e cila, nëse konfirmohet, shënon një përparim në një rajon të ri ukrainas që Moska nuk e ka shpallur të aneksuar.
Synimi i Rusisë
Operacionet e mëtejshme ruse tregojnë planet ekspansioniste të Putinit, të cilat Palisa ua përshkroi gazetarëve javën e kaluar. Palisa tha javën e kaluar se Rusia synon të pushtojë të gjithë rajonet e Donetskut dhe Luhanskut deri më 1 shtator dhe të krijojë një zonë tampon përgjatë kufirit verior midis Ukrainës dhe Rusisë deri në fund të vitit 2025. Ai shtoi se Rusia dëshiron të pushtojë bregun lindor (të majtë) të lumit Dnieper dhe të marrë në dorë rajonet e Odesës dhe Nikolajevit deri në fund të vitit të ardhshëm, gjë që do t’i mohonte Ukrainës aksesin në Detin e Zi.
ISW publikoi një version të hartës së paraqitur nga Palisa, e cila tregon planet për të pushtuar afërsisht 13,600 kilometra katrorë shtesë territori dhe për të kontrolluar 207,000 kilometra katrorë deri në fund të vitit 2026, më shumë se gjysma e sipërfaqes totale të Ukrainës. Zëvendëskryetari i zyrës së presidentit ukrainas deklaron se Rusia dëshiron të “pushtojë të gjithë pjesën e Ukrainës në bregun e majtë të lumit Dniepër” dhe të kapë “rajonet e Odesës dhe Nikolajevit në mënyrë që t’i ndërpresë Ukrainës aksesin në Detin e Zi”. Analistët parashikojnë se Moska do të kërkojë të shtojë ofensivën e saj për të ushtruar presion gjatë bisedimeve të paqes, por nuk do të jetë në gjendje ta mbajë atë presion për një kohë të pacaktuar dhe mund të ketë vështirësi në ruajtjen e ritmit deri në vitin 2026.
Kushti i ri për NATO-n
Sakaq, nujë kusht i ri rus është zbuluar, Lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë derisa NATO të tërheqë forcat e saj nga rajoni i Balltikut, tha Sergei Ryabkov, zëvendësministri rus i Punëve të Jashtme përgjegjës për marrëdhëniet me SHBA-në, mospërhapjen dhe kontrollin e armëve. Ryabkov e deklaroi këtë në një intervistë me agjencinë shtetërore ruse të lajmeve Tass. Komentet e Ryabkov, siç vlerësohen nga “Newsweek”, shënojnë një ndryshim në qëndrimin e Kremlinit. Ai ka sugjeruar kështu drejtpërdrejt se rrënjët e konfliktit nuk qëndrojnë vetëm në Ukrainë, por edhe në zgjerimin e NATO-s në lindje, megjithëse Moska ka paralajmëruar kundër kësaj dhe ka shprehur mospajtim dhe pakënaqësi me të për dekada të tëra. Sipas Ryabkov, tërheqja e forcave të NATO-s nga vendet baltike do të ndihmonte në përfundimin e luftës.
