Përpos rrëfimeve rrëqethëse të atyre që vuajtën padrejtësisht për vite me radhë në burgjet e Sirisë, në rrjete sociale rasti i Mazen al-Hamad i ka prekur të gjithë.
Në videot virale të tij, sheh pafund komente të njerëzve nga çdo cep i botës. Një djalë i ri me lot në sy që flet për mënyrën si është torturuar.
Por fakti më i trishtë është se ai ka ndërruar jetë. Kur forcat rebele bastisën burgun famëkeq të regjimit në Damask, u gjet kufoma e tij. Mazen kishte disa kohë që kishte ndërruar jetë dhe mbahej në një frigorifer, teksa në trup dalloheshin qartë shenjat e torturave nëpër të cilat ai kishte kaluar.
Intervistat që shfaqen kudo dhe janë bërë virale janë realizuar gjatë kohës kur ai arriti të fitonte lirinë dhe të arratisej drejt Holandës, ku jetoi për disa kohë. Megjithatë, në mënyrë të mistershme dhe pa asnjë shpjegim, ai vendosi të kthehej në Siri, ku u arrestua sërish, duke u shpallur i zhdukur.