Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur jugperëndimin e Kolumbisë, ku një makinë-bombë shpërtheu pranë një pike pagese në Autostradën Pan-Amerikane, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Ngjarja ndodhi vetëm një ditë pas betimit të presidentit të ri të vendit, Abelardo de la Espriella. Ushtria kolumbiane ka fajësuar për sulmin fraksione të shkëputura të ish-grupit rebel FARC, të cilat vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit.

Sipas autoriteteve, objektivi i sulmit ishte një pikë pagese në departamentin e Cauca-s. Dy roje sigurie kanë pësuar lëndime të lehta nga shpërthimi.

Një dëshmitar ka deklaruar se një person la automjetin pranë pikës së pagesës dhe u largua më pas me motoçikletë, pak para shpërthimit.

Sulmi ka rikthyer shqetësimet mbi aktivitetin e grupeve të armatosura në Kolumbi, veçanërisht në rajonet ku veprojnë fraksione të ish-FARC dhe organizata të tjera kriminale.

Qeveria e re ka premtuar një përgjigje të ashpër ndaj sulmit. Ministrja e Transportit, Elsa Noguera, deklaroi se vendi nuk do të tërhiqet përballë dhunës dhe se autoritetet do të forcojnë kontrollin mbi territorin dhe infrastrukturën strategjike.

Presidenti de la Espriella, i cili u betua të premten, e kishte vendosur luftën ndaj grupeve të armatosura dhe narkoterrorizmit në qendër të fushatës së tij.

Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të sulmit.