Kur porta e burgut “La Santé’ u mbyll pas Nicolas Sarkozy, ai mori me vete një libër që jep një mesazh më të fortë se çdo deklaratë.

“Konti i Monte Kristos”, historia e të pafajshmit që dënohet, arratiset dhe kthehet për të marrë hak ndaj atyre që i bënë padrejtësi, do e ndihmojë ish-presidentin francez të kalojë ditët e tij.

Rastësi apo mesazh i qëllimshëm? Zgjedhja e librit e kthen hyrjen në burg në prolog të një rrëfimi të paramenduar: A po e portretizon veten si i pafajshëm i dënuar? A na fton të presim një “arratisje” politike dhe një rikthim për të rregulluar hesapet? A kanë qenë njerëzit e tij të afërt ata që ia gatuan dënimin me burg? Apo është thjesht një simbolikë për të mbajtur ndezur dyshimin dhe për të forcuar narrativën e tij?

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy ka hyrë në një burg në Paris, pasi një gjykatë e dënoi me pesë vjet për komplot kriminal lidhur me një skemë për të marrë fonde për fushatën zgjedhore nga regjimi i diktatorit të ndjerë libian Muammar Gaddafi.

Presidenti i krahut të djathtë të Francës mes viteve 2007 dhe 2012 është ish-kreu i parë i një vendi të BE-së që vuan dënim në burg, dhe lideri i parë francez pas Luftës së Dytë Botërore që futet në qeli.

Sarkozy, i cili ka apeluar dënimin e tij, kërkoi të shmangte fotografimin te portat e burgut La Santé, në jug të Parisit. Në vend të kësaj, ai organizoi një dalje të inskenuar me kujdes nga shtëpia e tij në perëndim të kryeqytetit, ku eci me bashkëshorten, këngëtaren Carla Bruni, për të përshëndetur turmat e mbledhura në rrugë.

Së pari, fëmijët e tij, të kryesuar nga Giulia, vajza e tij 14-vjeçare me Brunin, ecën ngadalë nga shtëpia për të përshëndetur mbështetësit. Louis Sarkozy, një nga djemtë e Sarkozyt, i cili po përgatitet të kandidojë për kryetar bashkie në Menton, në Rivierën Franceze, pranverën e ardhshme, u kishte bërë thirrje mbështetësve të demonstronin në rrugë. Disa thërrisnin “Nicolas! Nicolas!” Në të njëjtën kohë, llogaria e tij në rrjetet sociale publikoi një mesazh ku ai tha: “Jam i pafajshëm”, dhe se burgosja e tij ishte një “skandal gjyqësor”.