Toka ka fituar përkohësisht një shoqërues të ri në hapësirë. Bëhet fjalë për një asteroid të vogël, me diametër rreth dy metra, i cili është kapur nga graviteti i planetit tonë dhe po lëviz përkohësisht në orbitën e tij. Objekti po cilësohet nga astronomët si një “mini-hënë”.
Asteroidi, i identifikuar me emrin 2026 QQ8, pritet të qëndrojë pranë Tokës deri në fillim të dhjetorit. Pas kësaj, ai do të dalë nga ndikimi gravitacional i planetit dhe do të vazhdojë lëvizjen në orbitën e tij rreth Diellit.
Zbulimi i tij ka qenë një proces i vështirë për shkak të përmasave të vogla dhe ndriçimit të dobët. Astronomëve iu deshën disa javë analizash për të përcaktuar nëse objekti ishte një asteroid natyror apo një mbetje satelitore jashtë funksionit.
Trupi qiellor u vu re fillimisht në gusht nga astronomi hungarez Krisztián Sárneczky, i cili e regjistroi përkohësisht me emrin Sar2901. Pas studimeve të mëtejshme të trajektores së tij, në fund të tetorit, Qendra e Planetëve të Vogël e Unionit Ndërkombëtar Astronomik e regjistroi zyrtarisht si 2026 QQ8.
Sipas ekspertëve, fenomeni nuk është aq i rrallë sa mund të duket. Toka mund të kapë përkohësisht trupa të vegjël qiellorë, të cilët qëndrojnë pranë saj për javë ose muaj, përpara se të largohen sërish. Matthew Payne, drejtor i Qendrës së Planetëve të Vogël, shpjegon se mesatarisht mund të ketë një objekt të tillë pranë Tokës në çdo moment, megjithëse periudha të caktuara mund të kalojnë pa asnjë prej tyre.
Zbulimi i këtyre trupave mbetet i vështirë, pasi shumica janë shumë të vegjël, lëvizin me shpejtësi dhe ndodhen në distanca që i bëjnë pothuajse të padukshëm për teleskopët aktualë.
Astronomët theksojnë se 2026 QQ8 nuk përbën rrezik për Tokën. Për shkak të madhësisë së tij, në rast se do të hynte në atmosferën e planetit, pritet të shpërbëhej përpara se të shkaktonte dëme.
Deri më tani janë identifikuar rreth 40 mijë objekte pranë Tokës dhe afërsisht 1.5 milionë trupa qiellorë në të gjithë Sistemin Diellor. Megjithatë, kjo shifër pritet të rritet ndjeshëm me përdorimin e teleskopëve të rinj dhe teknologjive më të avancuara të vëzhgimit.
Një prej projekteve që pritet të sjellë zbulime të shumta është ai që përdor një teleskop të pajisur me kamerën dixhitale më të madhe në botë. Përmes tij, shkencëtarët synojnë të katalogojnë asteroidë, kometa dhe objekte të tjera hapësinore në një shkallë shumë më të gjerë. Payne parashikon se numri i trupave të njohur në Sistemin Diellor mund të rritet nga 1.5 milionë në rreth 5 milionë.
