Një lajm i trishtë vjen nga Teksas, ku të paktën 46 persona janë gjetur të vdekur brenda një kamioni të braktisur në një paralagje të San Antonios.

Mediat e huaja shkruajnë se 16 të tjerë që ndodheshin brenda në mjet janë dërguar në spitalet e San Antonios.

Shefi i policisë, Eilliam McManus ka shtuar se tre persona janë shoqëruar në paraburgim, por nuk dihet nëse ata ishin “absolutisht të lidhur me këtë ngjarje të rëndë”.

Gjithashtu mediat e huaja kanë publikuar fotografi e video nga vendi i ngjarjes, ku shihet policia, ambulanca dhe zjarrfikëset.

“Daily Mail” shkruan se shkaqet e vdekjes së viktimave ende nuk kanë konfirmuar, por dyshimet e para janë për nxehtësinë ekstreme brenda në kamion. Sipas zyrtarëve, personat e mbijetuar kishin vuajtur nga dehidrimi dhe goditja nga vapa e madhe.

Zyrtarët kanë konfirmuar se nga 16 personat e mbijetuar, 12 ishin të rritur dhe 4 fëmijë.