Një nga krimet më makabre të viteve të fundit ka tronditur Austrinë dhe Ukrainën, pasi 21-vjeçari Danylo K., student në Vjenë dhe djali i nënkryetarit të bashkisë së Kharkivit, u torturua për orë të tëra dhe më pas u dogj për së gjalli brenda makinës së të atit. Ngjarja ndodhi në lagjen Donaustadt të Vjenës, ku alarmi i zjarrit çoi zjarrfikësit drejt një Mercedes-i të zi të shkrumbuar plotësisht.
Në sediljen e pasme të automjetit u gjet trupi i pajetë i të riut. Hetimet e policisë austriake kanë zbuluar se Danylo ishte sulmuar fillimisht në një garazh nëntokësor pranë hotelit Sofitel, ku u dhunua rëndë nga një bashkëstudent. Më pas ai u fut me forcë në makinën e të atit dhe u mbajt peng për disa orë, gjatë të cilave u torturua.
Vetëm pas kësaj, autorët e dërguan automjetin në rrugën Marlen-Haushofer-Weg, ku e përfshinë nga flakët me benzinë, duke e lënë viktimën në sediljen e pasme. Sipas autoriteteve, dy bidona me karburant ishin blerë pak para krimit, çka tregon se vrasja ishte e planifikuar.
Familja e Danylo K. kishte humbur kontaktet me të që më 25 nëntor dhe kishte ngritur alarmin kur vuri re se dy portofolet e tij ishin zbrazur. Ky detaj ka forcuar pistën se motivi kryesor i krimit lidhet me grabitjen e kriptomonedhave, me një vlerë të konsiderueshme financiare.
Autoritetet austriake nuk kanë bërë publike shumën e saktë të parave të vjedhura, por dyshohet se bëhet fjalë për shuma të mëdha. Dy të dyshuar, shtetas ukrainas të moshave 19 dhe 45 vjeç, u shpallën në kërkim ndërkombëtar dhe u arrestuan në Ukrainë. Gjatë ndalimit, atyre iu gjetën sasi të mëdha parash në dollarë, çka ka ngritur dyshime se kriptomonedhat janë konvertuar shpejt në para fizike.




