Thellësitë e oqeaneve vijojnë të fshehin sekrete të mëdha dhe një prej tyre sapo është zbuluar nga studiuesit kinezë. Bëhet fjalë për një sistem hidrotermal gjigant në fund të Oqeanit Paqësor, i quajtur Kunlun, i cili nuk njihej më parë dhe që mund të ndihmojë në kuptimin e origjinës së jetës në Tokë.
Sistemi është gjetur në verilindje të Papua Guinesë së Re dhe përbëhet nga 20 kraterë të mëdhenj, ku më i madhi arrin deri në 1.800 metra gjerësi dhe 130 metra thellësi. Studiuesit e kanë përshkruar si tuba nga të cilët çlirohen sasi të mëdha hidrogjeni, element ky që mund të ushqejë jetën që lulëzon në këtë mjedis ekstrem.
Kunlun i ngjan fushës hidrotermale të njohur në Oqeanin Atlantik, të quajtur “Qyteti i Humbur”, por është shumë më i madh në përmasa: mbulon 11 kilometra katrorë, qindra herë më shumë se Qyteti i Humbur, sipas revistës Science Advances.
Ajo që i ka habitur më shumë studiuesit është diversiteti i madh i jetës së thellësive që është vërejtur aty: langosta, anemone, karkaleca e shumë specie të tjera që mbijetojnë falë kimiosintezës – proces që përdor substanca kimike si hidrogjeni për të prodhuar energji dhe ushqim, në mungesë të dritës së diellit.
Ky zbulim i rrallë jo vetëm që na ndihmon të kuptojmë më mirë botën tonë të fshehtë nën ujë, por gjithashtu hap horizonte të reja për të imagjinuar forma jete përtej planetit tonë.