Në një zhvillim të papritur, presidenti sirian Ahmed al-Shara njoftoi krijimin e një pakti sigurie me Izraelin, duke i dhënë fund pothuajse tetë dekadave armiqësie mes dy vendeve. Në një konferencë për shtyp në Damask, ish-islamisti radikal – që prej vitit të kaluar udhëheqës i Sirisë – e përshkroi marrëveshjen si një “domosdoshmëri”. Sipas tij, pakti do të garantojë respektimin e hapësirës ajrore dhe integritetit territorial të Sirisë nga ana e Izraelit, ndërsa mbikëqyrja do të kryhet nga Kombet e Bashkuara.
Edhe pse deri vonë e paimagjinueshme, Damasku dhe Tel Avivi kanë nisur bisedimet për një marrëveshje që synon ndalimin e sulmeve ajrore dhe tërheqjen graduale të trupave izraelite nga Siria jugore. Negociatat, të zhvilluara në Londër për më shumë se pesë orë, u ndërmjetësuan nga Shtetet e Bashkuara – të cilat, sipas analistëve, po shfrytëzojnë lidhjet e presidentit Trump si me al-Shara ashtu edhe me Netanyahu. Në takim, ministri i Jashtëm sirian, Asad al-Shaibani, i dorëzoi ministrit izraelit të Çështjeve Strategjike, Ron Dermer, përgjigjen e Sirisë për propozimin e fundit të Izraelit.
Përmbajtja e marrëveshjes
Propozimi izraelit, sipas Axios, synon krijimin e një zone ndalim-fluturimi dhe një zone të çmilitarizuar në jugperëndim të Sirisë, të ngjashme me modelin e marrëveshjes së vitit 1979 me Egjiptin. Izraeli kërkon që këto kufizime të mos prekin praninë e tij ushtarake përgjatë kufirit. Në këmbim, Tel Avivi do të tërhiqej hap pas hapi nga zona tampon e krijuar pas largimit të Bashar al-Assad në Moskë, dhjetorin e kaluar nën kujdesin e Putinit.
Afatet dhe presioni ndërkombëtar
Sipas Reuters, Uashingtoni dëshiron që marrëveshja të arrihet përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së javën e ardhshme. Megjithatë, al-Shara mohoi se ka pasur presion amerikan, duke e përshkruar rolin e SHBA-ve thjesht si “ndërmjetësues”. Ai la të kuptohej se, nëse ky pakt sigurie do të funksionojë, mund të hapë rrugën për marrëveshje të tjera dypalëshe, por sqaroi se një traktat paqeje apo një marrëveshje normalizimi në stilin e Marrëveshjeve të Abrahamit nuk janë ende në tryezë. Al-Shara e cilësoi gjithashtu si “shumë të hershme” diskutimin mbi fatin e Lartësive të Golanit, të pushtuara nga Izraeli në vitin 1967 dhe të aneksuara më vonë, duke e konsideruar atë një “çështje të madhe”.
Çështja e Golanit dhe pakënaqësia amerikane
Izraeli ka përjashtuar kategorikisht çdo mundësi të dorëzimit të Golanit, të cilin Donald Trump e njohu njëanshmërisht si pjesë të territorit izraelit gjatë mandatit të tij të parë – edhe pse pjesa tjetër e botës e konsideron ende sirian. Kjo situatë ka shkaktuar tensione me Shtëpinë e Bardhë. Wall Street Journal shkruan se Trump është shfaqur i frustruar me Netanyahu, sidomos pas një operacioni izraelit në Katar kundër negociatorëve të Hamasit, që rrezikoi të dëmtonte bisedimet e brishta të paqes.