Nëntë persona kanë humbur jetën pas të shtënave me armë zjarri në qytetin Erie, në Pensilvani të Shteteve të Bashkuara. Ngjarja e rëndë dyshohet të ketë përfunduar me vetëvrasjen e autorit, ndërsa mes viktimave raportohet se ka edhe gra dhe fëmijë.
Të shtënat u regjistruan të premten pasdite në Perry Street, ku policia mbërriti rreth orës 17:00, pas njoftimeve për të shtëna në një banesë familjare. Sipas informacioneve paraprake, i dyshuari ka hapur zjarr brenda banesës, duke vrarë disa persona, mes tyre edhe dy fëmijë.
Ndërkohë, dy gra u gjetën të pajeta në rrugë, me plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Pas ngjarjes, i dyshuari u mbyll brenda banesës, duke detyruar autoritetet të angazhonin edhe njësinë speciale SWAT.
Gjatë ndërhyrjes u dëgjuan të shtëna të tjera, ndërsa situata u përshkallëzua në një përplasje mes policisë dhe personit të dyshuar. Në përfundim të operacionit, ai u gjet i vdekur. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se i ka drejtuar armën vetes.
Shefi i policisë së Erie-t, Rick Laura, e cilësoi ngjarjen si një nga incidentet më të vështira dhe më të dhimbshme me të cilat janë përballur ndonjëherë policia dhe hetuesit e qytetit. Ai konfirmoi se nuk ka më rrezik të vazhdueshëm për publikun.
Bilanci tragjik shkon në nëntë viktima, përfshirë edhe të dyshuarin. Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota dhe motivet që çuan në këtë ngjarje të rëndë.
