Pas më shumë se katër dekadash hetimesh, autoritetet në Long Island kanë arritur të zbardhin misterin e zhdukjes, përdhunimit dhe vrasjes së 16-vjeçares Teresa Fusco, falë një pipëze të hedhur në plehra dhe analizave të ADN-së.

E reja u zhduk më 10 nëntor të vitit 1984, vetëm disa orë pasi kishte përfunduar turnin e punës në një pistë patinazhi në qytetin Lynbrook, ku ajo punonte. Trupi i saj u gjet më 5 dhjetor të po atij viti në një zonë pyjore, i përdhunuar, i rrahur dhe i vrarë në mënyrë brutale.

Pas një hetimi të gjatë dhe të ndërlikuar, Prokuroria e Qarkut Nassau bëri të ditur se ka arrestuar 63-vjeçarin Richard Bilodeau, ish-pronar i një kafeneje në atë kohë, si të dyshuarin kryesor për krimin makabër. Arrestimi i tij u bë i mundur në fillim të këtij viti, kur ai hodhi në plehra një gotë plastike pas blerjes së një pijeje pranë banesës së tij. Pipëza që ndodhej në gotë u mor nga hetuesit dhe u analizua, duke zbuluar një përputhje të plotë me ADN-në e gjetur në trupin e Terezës 41 vite më parë.

“ADN-ja e marrë nga pipëza përputhej në mënyrë të saktë me mostrat e mbledhura nga trupi i viktimës në vitin 1984,” deklaroi prokurorja gjatë një konference për shtyp, duke theksuar se kjo provë vendimtare vulosi çështjen.

Ky është zhvillimi i parë i madh që pas një tjetër rasti të bujshëm që tronditi opinionin publik në vitin 2003, kur tre të rinj – John Restivo, Dennis Halstead dhe John Kogut – u arrestuan dhe dënuan për të njëjtin krim. Të tre kaluan 18 vite në burg përpara se të shpalleshin të pafajshëm dhe të liroheshin, falë testimeve të mëvonshme të ADN-së që përjashtuan përfshirjen e tyre. Ata më vonë fituan një padi kundër autoriteteve dhe u dëmshpërblyen me 43 milionë dollarë.

Babai i viktimës, Thomas Fusco, i emocionuar nga lajmi, deklaroi: “Nuk e humba kurrë shpresën. Gjithmonë kam pasur besim se do të zbulohej e vërteta. Arrestimi i këtij njeriu më jep një ndjenjë lehtësimi të thellë, megjithëse dhimbja që kam për humbjen e vajzës sime nuk do të largohet kurrë. Jam shumë mirënjohës.”

Bilodeau pritet të dalë përpara gjykatës në ditët në vijim, ndërsa autoritetet kanë theksuar se hetimet për çdo detaj të ngjarjes do të vazhdojnë për të siguruar drejtësi të plotë për Teresa Fusco.