Astronomët janë një hap më afër konfirmimit të pranisë së një atmosfere të ngjashme me Tokën në një ekzoplanet (planet jashtë sistemit tonë diellor), falë vëzhgimeve të fundit nga Teleskopi Hapësinor James Webb. Ky zhvillim lidhet me sistemin planetar TRAPPIST-1, i zbuluar në vitin 2016 nga një grup astronomësh belgë, i cili ndodhet rreth 40 vite dritë larg Tokës dhe përbëhet nga shtatë planetë shkëmborë.
Në qendër të vëmendjes është TRAPPIST-1e, planeti i katërt i këtij sistemi, i cili ndodhet në zonën e banueshme, aty ku, nëse ekziston një atmosferë, mund të ketë ujë të lëngshëm. Katër vëzhgime të kryera në vitin 2023 nuk e përjashtuan mundësinë e një atmosfere. Ndryshe nga planeti më i afërt me yllin e sistemit të tij, TRAPPIST-1b, i cili ka humbur atmosferën, TRAPPIST-1e mbetet një kandidat premtues.
Studiuesit kanë arritur të përjashtojnë mundësinë e një atmosfere të pasur me hidrogjen ose dioksid karboni, si ato të Venusit dhe Marsit. Në vend të tyre, gjasat më të mëdha janë për një atmosferë të ngjashme me Tokën, të mbështetur në azot. Kjo do të ishte një pikënisje revolucionare për kërkimin e jetës jashtëtokësore.
Néstor Espinoza nga Instituti i Teleskopit Hapësinor në Baltimore, tha se po kryhen 15 vëzhgime të tjera dhe rezultatet përfundimtare priten brenda vitit. Nëse zbulohet një atmosferë, madje me gjurmë gazi si metani do të ishte një provë e fuqishme se planetët rreth yjeve xhuxh të kuq, më të përhapurit në Univers, mund të jenë të banueshëm.
Edhe pse rezultatet nuk janë ende përfundimtare, shkencëtarët theksojnë se për herë të parë jemi brenda mundësisë reale për të identifikuar një atmosferë rreth një planeti shkëmbor jashtë sistemit tonë diellor. Kjo do të sillte një revolucion në kërkimin për jetë në kozmos.