Bashkimi Evropian dhe NATO po përgatiten të krijojnë një “Schengen ushtarak” në Evropë, përmes një projekti gjigant me vlerë 100 miliardë euro, që synon të përshpejtojë lëvizjen e trupave dhe pajisjeve ushtarake në rast krizash apo emergjencash.
Lajmi u bë i ditur nga Komisioneri Evropian për Transportin dhe Turizmin, Apostolos Tzitzikostas, gjatë një konference në Athine.
Sipas tij, projekti parashikon ndërtimin dhe forcimin e rreth 500 pikave strategjike në të gjithë Evropën brenda tre ose katër viteve të ardhshme. Bëhet fjalë për rrugë, ura, hekurudha, porte dhe korridore transporti që do të përshtaten për kalimin më të shpejtë të forcave ushtarake.
Qëllimi është që ushtritë e vendeve anëtare të mund të lëvizin shumë më shpejt nga një shtet në tjetrin, si gjatë stërvitjeve ushtarake, ashtu edhe në situata emergjente.
Tzitzikostas deklaroi gjithashtu se BE-ja po planifikon krijimin e një rezerve të përbashkët pajisjesh ushtarake, të ngjashme me sistemin aktual të mbrojtjes civile evropiane, ku vendet anëtare ndajnë burime dhe mjete në raste nevoje.
Sipas tij, rregullorja për projektin pritet të jetë gati deri në vitin 2027, ndërsa infrastruktura e re synohet të përfundojë në fillim të vitit 2030.
Komisioneri evropian foli edhe për sezonin turistik veror, duke thënë se pavarësisht tensioneve në Lindjen e Mesme dhe problemeve që ato kanë sjellë në fluturime dhe çmimet e karburantit, turistët nuk duhet të shqetësohen për pushimet në Evropë.
“Nuk kemi asnjë sinjal për mungesë karburanti për avionët”, deklaroi ai, duke shtuar se rreth 70% e karburantit prodhohet brenda Bashkimit Evropian dhe se blloku ka rezerva të konsiderueshme.
