Mbreti Charles III dhe Mbretëresha Camilla do të mbërrijnë sot në Kanada për një vizitë dyditore, e cila shihet si një mesazh mbështetjeje për vendin përballë kërcënimeve dhe provokimeve nga presidenti amerikan Donald Trump.

Kryeministri kanadez Mark Carney, i cili së fundmi fitoi zgjedhjet e përgjithshme mbi një valë pakënaqësie ndaj Trump-it, i ka ftuar çiftin mbretëror dhe do të zhvillojë një takim me ta gjatë qëndrimit të tyre në Ottawa.

Të martën, Mbreti do të mbajë “Fjalimin nga Froni” në Parlamentin e Kanadasë hera e parë që një monark e bën këtë pas pothuajse 50 vitesh. Ky fjalim pritet të përmbajë një mbrojtje të sovranitetit të Kanadasë dhe të hedhë poshtë pretendimet se vendi duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së.

Vizita fillon sot me një pritje ceremoniale në aeroportin e Ottawës dhe takime me grupe komunitare, përfshirë përfaqësues të komuniteteve autoktone. Mbreti do të takohet gjithashtu me Guvernatoren e Përgjithshme të parë autoktone të Kanadasë, Mary Simon.

Kjo është vizita e parë zyrtare e Mbretit dhe Mbretëreshës në Kanada që nga fillimi i mbretërimit të tyre, pasi një vizitë e planifikuar vitin e kaluar u anulua për shkak të diagnozës me kancer të Mbretit Charles.

Duke lexuar Fjalimin nga Froni, Mbreti ndjek gjurmët e nënës së tij, Mbretëreshës Elizabeth II, e cila e kreu këtë detyrë dy herë gjatë sundimit të saj – në vitet 1957 dhe 1977.

Koha kur zhvillohet kjo vizitë është interpretuar gjerësisht si një akt solidariteti me Kanadanë, pas thirrjeve të Trump-it që vendi të bëhet pjesë e SHBA-së. Këto deklarata kanë ndezur opinionin publik, me biznese në Ottawa dhe qytete të tjera që kanë vendosur postera si “Krenarisht kanadez”.

Gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë më herët këtë muaj, Carney theksoi se “Kanada nuk është në shitje” një mesazh që pritet të përforcohet në fjalimin e Mbretit, i cili shkruhet me këshillën e qeverisë kanadeze.

Ish-komisioneri i lartë kanadez në Mbretërinë e Bashkuar, Jeremy Kinsman, tha se ky është një mesazh që Mbreti do ta japë me kënaqësi:
“Fjalimi do të jetë një afirmim i sovranitetit kanadez. Dhe, mund ta them personalisht, është diçka që Mbreti Charles do ta përshëndesë me entuziazëm. Nuk kam asnjë dyshim për këtë.”

Fjalimi, që do të mbahet në gjuhët frënge dhe angleze, do të paraqesë axhendën politike të qeverisë, në mënyrë të ngjashme me “Fjalimin e Mbretit” në hapjen e Parlamentit britanik. Por gjithashtu pritet të përmbajë deklarata të qarta mbi pavarësinë e Kanadasë një vend anëtar i Commonwealth-it dhe i NATO-s.

Nga ana ceremoniale, Mbreti do të vishet me kostum klasik, në një aktivitet më pak pompoz se ai i Londrës, ku përdoren kurorat dhe rrobat mbretërore.

Vizita do të përfshijë edhe takime me udhëheqës lokalë dhe aktivitete komunitare. Por mbi të gjitha, është një test diplomatik delikat për Mbretin, i cili është njëkohësisht kreu i shtetit për Britaninë dhe Kanadanë.

Në Britani, Mbreti ka ndihmuar në ruajtjen e marrëdhënieve me SHBA-në, duke i dërguar një letër personale Presidentit Trump për ta ftuar në një vizitë shtetërore të dytë. Por në Kanada, ai pritet të reflektojë një qëndrim të kundërt, në përputhje me refuzimin zyrtar të ambicieve të Trump-it.

Një burim pranë pallatit mbretëror tha:
“Mbreti ka përvojë të gjatë dhe një aftësi të madhe për të ruajtur ekuilibrin diplomatik. Ai gëzon respekt të gjerë në botë dhe në spektrin politik, me marrëdhënie të mira me liderë që e kuptojnë rolin e tij unik.”//BBC