Qindra studentë, nxënës, mësues dhe prindër janë mbledhur këtë të mërkurë në rrugët e Athinës dhe Selanikut, duke vijuar për të dytën ditë radhazi protestat kundër kostos së lartë të jetesës dhe problemeve në sistemin arsimor grek.

Në kryeqytetin grek, demonstrata kryesore nisi rreth mesditës në zonën e Propylaia-s, ku pjesëmarrësit u mblodhën për të kërkuar ndërhyrje konkrete nga qeveria për përmirësimin e kushteve të studimit dhe jetesës.

Për shkak të mobilizimit të protestuesve, autoritetet kanë ndërmarrë masa të shtuara sigurie. Rreth 3 mijë efektivë policie janë dislokuar në zona strategjike të Athinës, ndërsa disa akse rrugore në qendër të qytetit janë bllokuar përkohësisht për qarkullimin e automjeteve, raporton gazetari Aleksandër Marku.

Në qendër të kërkesave të studentëve është kriza e strehimit dhe rritja e vazhdueshme e shpenzimeve. Ata kërkojnë uljen e qirave, shtimin e subvencioneve për banesat studentore dhe zgjerimin e kapaciteteve të konvikteve.

Gjithashtu, protestuesit kërkojnë garantimin e ushqimit dhe transportit falas për studentët, rritjen e fondeve publike për universitetet dhe ndërhyrje për të frenuar çmimet e energjisë elektrike dhe karburanteve.

Protestave u janë bashkuar edhe mësuesit, të cilët kanë ndërmarrë veprime sindikale për të kërkuar më shumë mbështetje për arsimin publik.

Federata e mësuesve të arsimit fillor ka shpallur një grevë 24-orëshe, ndërsa mësuesit e shkollave të mesme kanë ndërprerë punën për tri orë.

Mes kërkesave kryesore të tyre janë punësimi i përhershëm i mësuesve për të plotësuar vendet vakante në institucionet arsimore, si dhe investime për përmirësimin e ambienteve dhe infrastrukturës shkollore.

Tubime janë zhvilluar paralelisht edhe në Selanik, ku studentë dhe përfaqësues të sektorit të arsimit janë grumbulluar në qendër të qytetit. Për arsye sigurie, policia urdhëroi mbylljen e përkohshme të pesë stacioneve të metrosë.

Protestat kishin nisur që një ditë më parë, kur studentët vendosën çadra në sheshin Sintagma të Athinës dhe në rrugën Agia Sofia në Selanik, si formë kundërshtimi ndaj vështirësive ekonomike dhe mungesës së strehimit të përballueshëm.

Përfaqësuesit e protestuesve paralajmërojnë se mobilizimet do të vijojnë derisa autoritetet të marrin masa konkrete për kërkesat e tyre.

Deri në këto momente, demonstratat në dy qytetet kryesore të Greqisë janë zhvilluar pa incidente të dhunshme.