Një valë e të nxehtit e pazakontë për muajin maj ka përfshirë disa vende të Europës, duke sjellë temperatura rekord, netë tropikale dhe pasoja të rënda shëndetësore, përfshirë edhe viktima.

Fenomeni, i cilësuar si i paprecedentë për këtë periudhë të vitit, ka prekur Italinë, Francën, Holandën dhe Mbretërinë e Bashkuar, duke sjellë temperatura të larta që zakonisht nuk regjistrohen as në kulmin e verës. Në shumë zona, temperaturat kanë kaluar mbi 30 gradë Celsius, ndërsa në Londër janë regjistruar edhe 35 gradë, një rekord historik për muajin maj.

Në Francë, zyrtarët kanë raportuar të paktën shtatë viktima që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me të nxehtin ekstrem. Mes tyre janë edhe disa raste mbytjesh në lumenj dhe zona të ndryshme, përfshirë Girondën, Marne, Seine-et-Marne dhe Maine-et-Loire. Dy persona të tjerë raportohet se kanë humbur jetën gjatë aktiviteteve sportive.

Në Mbretërinë e Bashkuar, autoritetet raportojnë gjithashtu disa viktima, përfshirë të rinj që janë mbytur pasi janë hedhur në ujë për t’u freskuar në liqene dhe rezervuarë të rrezikshëm, si dhe një burrë rreth 60 vjeç që humbi jetën në përpjekje për të ndihmuar familjarët e tij në det në Cornwall. Sipas mediave, numri i përgjithshëm i viktimave nga mbytjet në ditët e fundit ka arritur të paktën në pesë persona.

Autoriteti meteorologjik britanik (Met Office) ka zgjatur paralajmërimet për vapë ekstreme në pothuajse të gjithë Anglinë dhe Uellsin, duke paralajmëruar ndikime serioze në sistemin shëndetësor dhe shërbimet sociale, veçanërisht për të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Ndërkohë, temperaturat e larta kanë shkaktuar edhe ndërprerje të transportit hekurudhor në disa linja në jug të Anglisë, për shkak të problemeve të shkaktuara nga nxehtësia në infrastrukturë.

Në Holandë, Ministria e Mbrojtjes ka pezulluar përkohësisht disa stërvitje ushtarake me përdorim armësh dhe eksplozivësh në rajonin e Gelderland, pas rritjes së rrezikut për zjarre në pyje. Vendimi vjen pas disa zjarreve të regjistruara gjatë ushtrimeve ushtarake në zona të ndryshme, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar rishikim të rregullave për stërvitjet në kushte të thatësisë ekstreme.

Ekspertët e lidhin këtë valë të të nxehtit me ndryshimet klimatike globale, ndërsa shërbimet shëndetësore në shumë vende kanë lëshuar paralajmërime për rrezik të shtuar, sidomos për grupet më të ndjeshme të popullsisë.