Njerëz të shokuar që vrapojnë për të dalë sa më parë jashtë shtëpive të tyre, mes lëkundjeve të frikshme të tërmetit. Këto janë pamjet që vijnë nga Rusia, e cila u godit nga një tërmet i frikshëm me magnitudë 8.8 ballë, duke shkaktuar edhe cunami në brigjet e oqeanit Paqësor.
Epiqendra e tërmetit ishte rajoni Kamchatka dhe lëkundjet u ndjenë në orët e para të mëngjesit. Fatmirësisht, deri më tani nuk ka raportime për viktima, përveç se për disa persona të plagosur.
Gjatë orëve të fundit, disa shtete, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Japoninë, kanë lëshuar paralajmërime për cunami dhe urdhra për evakuime. Sipas ministrit rajonal për emergjenca, Sergei Lebedev, pas tërmetit është regjistruar një cunami me lartësi nga 3 deri në 4 metra.


